zoom

Lajme

Çfarë pritet sot në protestën e Opozitës? Nis përgatitja e skenës, vendoset dhe gardhi metalik

Opozita është gati për protestën kombëtare mbrëmjen e sotme në bulevard, ku pritet pjesëmarrje masive.

PD do i bëjë thirrje qeverisë së kryesuar nga Edi rama, për dorëheqje, krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve të ardhshme, me qëllim zgjedhjet e lira dhe ndryshimin e situatës së vendit.

Nuk dihet ende plani nëse do përdoren goma të vjetra, flakadanë dhe molotov si te protesta prej më shumë se 4 muajsh te Bashkia. Policia nga ana e saj njoftoi edhe masat e marra dhe rrugët që bllokohen.

Ndërkohë që ka nisur edhe puna për vendosjen e infrastrukturës, ndërsa është vendosur gardhi metalik rrethues rreth podiumit.

Drejtuesit e demokratëve kanë bërë thirrje në vijimësi për pjesëmarrje të shtuar të qytetarëve në protestë, ndërsa kreu i PD Sali Berisha, pak ditë më parë i dërgoi edhe një “mesazh-porosi” strukturave, që të bëhet gjithçka që është e mundur në mënyrë që kjo të jetë protesta më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në kryeqytet.

Çfarë njoftoi Policia:

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, njoftoi sot se në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet në orën 20:00, në bulevard dhe përpara Kryeministrisë.

Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i “Rrugës së Elbasanit” me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi.

Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi”. /ZOOM.AL/