zoom

Bota

Çfarë pritet nga bisedimet SHBA-Ukrainë në Arabinë Saudite?

Gjatë përplasjes së tyre në Zyrën Ovale, presidenti amerikan, Donald Trump, i tha homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, se “t’i aktualisht nuk i ke letrat”.

Deklaratat e bëra nga Trumpi muajin e kaluar i referoheshin pozicionit të perceptuar të dobët të Kievit në dritë të përparimeve në fushëbetejë nga Rusia dhe një Shtëpie të Bardhë që është e etur që t’i japë fund luftës trevjeçare.

Tani, teksa Zelensky viziton Arabinë Saudite – ku një ekip negociator ukrainas do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me zyrtarët amerikanë më 11 mars lidhur me një marrëveshje të mundshme të paqes – letrat e Kievit do të çelen plotësisht.

“Ukraina ka letrat më të dobëta në tavolinë”, tha Michael Froman, president i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme. “Siç Trumpi dhe të emisarët e tij e kanë bërë të qartë, Uashingtoni nuk është i prirë ta mbështesë pafundësisht Kievin”.

Pezullimi i ndihmave amerikane për Ukrainën – në shifra

Që nga përplasja në Shtëpinë e Bardhë në fund të shkurtit, Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Ukrainës, duke pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës. Po ashtu, një marrëveshje e rëndësishme për minerale SHBA-Ukrainë ka mbetur e panënshkruar.

Trump ka shprehur optimizëm për bisedimet, duke u thënë gazetarëve se “besoj që ne do të bëjmë shumë përparim gjatë kësaj jave”. Para se të udhëtonte për në Arabinë Saudite, Zelensky tha se “ne do të vazhdojmë të punojmë për hir të paqes”.

“Tani vjen koha për një rund të ri bastesh”, tha Froman. “Cila është vija e kuqe e Ukrainës, me SHBA-në dhe Rusinë? Çfarë lëshimesh amerikane është Trump i gatshëm të bëjë, jo vetëm për të arritur një marrëveshje të çfarëdoshme, por një marrëveshje që krijon paqe të drejtë e të qëndrueshme?”.

Kush do të marrë pjesë në bisedime?

Bisedimet njëditore në Arabinë Saudite do të jenë bisedimet e para mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë që nga vizita e tensionuar e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.

Ato do të mbahen po ashtu një muaj pasi zyrtarët amerikanë dhe rusë u takuan në kryeqytetin saudit, Riad, lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë – pa praninë e Kievit.

Presidenti ukrainas në vizitën e 10 marsit do të takohet me Princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman.

Zelensky në Arabinë Saudite një ditë para bisedimeve SHBA-Ukrainë

Ekipi negociues ukrainas do të qëndrojë në shtet për t’u takuar me homologët amerikanë një ditë më vonë. Delegacioni i Kievit do të përfshijë Andriy Yermak, shefin e stafit të Zelenskyt, ministrin ukrainas për Punë të Jashtme, Andriy Sybiha, dhe atë të Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Bisedimet SHBA-Ukrainë do të mbahen në qytetin Xheda. Ekipi negociues amerikan do të udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe në të do të bëjë pjesë edhe këshilltari për siguri kombëtar, Mike Waltz.

I dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, që mori pjesë në bisedimet e Riadit, pritej të merrte pjesë. Por, raportimet tani thonë se ai mund të udhëtojë për në Katar për bisedime lidhur me armëpushimin e brishtë në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Çfarë dëshiron SHBA-ja nga Ukraina në këto bisedime?

Trump tha se Ukrainës po i mbarojnë fuqitë njerëzore dhe burimet dhe duhet që shpejt të ulet në një tavolinë negocieuse me Rusinë.

Fokusi i bisedimeve në Xheda do të jetë vlerësimi nga zyrtarët amerikanë dhe ukrainas se çfarë lloj i procesit të paqes është i mundur.

Witkoff tha javën e kaluar se shpreson që të diskutohet për një “kornizë” lidhur me një marrëveshje të mundshme armëpushimi dhe marrëveshje të paqes.

Lufta e Rusisë në Ukrainë nxit një stuhi diplomatike

Zyrtarët amerikanë po ashtu do të shikojnë se ku Kievi është i gatshëm për kompromis. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Kievi ka bërë thirrje për kthimin e të gjithë territorit të tij dhe tërheqjen e plotë të forcave ruse.

Deklaratat e bëra nga Trumpi zyrtarët e tjerë amerikanë lanë të kuptohen se ky qëndrim nuk shihet si realist në Shtëpinë e Bardhë.

Renditja e hapave në procesin e paqes për të arritur një marrëveshje gjithashtu mund të jetë pjesë e bisedimeve, duke përfshirë çështje si një armëpushim i hershëm për të ndërtuar besim, këmbimi i të burgosurve dhe, potencialisht, në një moment të caktuar, mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë.

Para bisedimeve, Serhiy Leshchenko, këshilltar për kreun e Zyrës së Presidentit ukrainas, u tha gazetarëve se Kievi po përgatitet për të pranuar një armëpushim të pjesshëm që do të mbulonte sulmet ajrore dhe detare.

“A dëshironi armëpushim, ne jemi gati”, tha ai më 10 mars. “Megjithatë, në terren ku [presidenti rus, Vladimir] Putin do të jetë në gjendje të pranojë një armëpushim për disa muaj: të kurojë të plagosurit, të rekrutojë këmbësori në Korenë e Veriut dhe ta rinisë këtë luftë”.

Në këmbim të koncesioneve nga Ukraina, administrata Trump po shikon që të rinisë ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës.

Trump tha më 9 mars se SHBA-ja “pothuajse” ka përfunduar pezullimin e ndarjes së inteligjencës me Ukrainën, duke lënë të kuptohet se ndarja e informacioneve mund të rifillojë dhe do të jetë një rezultat pozitiv në Arabinë Saudite.

A ka Ukraina ndonjë levë negociuese?

Zelensky është përballur me presion të madh nga SHBA-ja për të bërë koncesione para ndonjë bisede për paqe dhe ka kërkuar garanci të forta të sigurisë për Kievin, që deri më tani nuk i ka pranuar.

Po ashtu, mbi takimin në Xheda rëndon edhe fati i marrëveshjes për minerale mes SHBA-së dhe Ukrainës. Kievi dëshiron të përfshijë një garanci të qartë të sigurisë nga SHBA-ja në këmbim të qasjes në burime të mineraleve të caktuara në Ukrainë, një kërkesë që është refuzuar nga Uashingtoni.

Ajo marrëveshje u pezullua gjatë vizitës së Zelenskyt në Uashington, por të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë që ta nënshkruajnë atë. Para bisedimeve të ardhshme, Trump tha se mendon se Ukraina do ta nënshkruajë marrëveshjen.

Gjatë një interviste dhënë së fundi, i dërguari i posaçëm amerikan, Keith Kellogg, sugjeroi se ky mund të jetë opsioni më i mirë i Kievit.

“Nëse SHBA-ja ka interes të drejtpërdrejtë ekonomik në Ukrainë, atëherë SHBA-ja ka po ashtu interes të drejtpërdrejtë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike – që shërben, de facto ….. si garanci të sigurisë për Ukrainën”, tha ai.

Kësaj radhe, Rusia nuk do të jetë në tavolinë të bisedimeve në Arabinë Saudite, por ajo që Moska është e gatshme të heqë dorë – nëse ka diçka – është një pyetje që gjithashtu rëndon mbi takimin SHBA-Ukrainë.

Zelensky ka thënë se Putini nuk dëshiron paqe dhe ka theksuar se udhëheqësi rus ka shkelur marrëveshjet paraprake të armëpushimit.

Aleatët evropianë të Ukrainës kanë argumentuar se Kievi mund të arrijë një marrëveshje me Rusinë vetëm nga një pozicion i forcës dhe se Ukraina nuk duhet të nxitohet që të ulet në tavolinën e negociatave.

Pavarësisht këtyre gjërave, ish-drejtori i Këshillit Kombëtar të Sigurisë për Rusinë, Thomas Graham, që ka shërbyer gjatë mandatit të presidentit George W.Bush dhe ende mban kontakte me zyrtarët në Moskë, tha se “Kremlini nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj maksimaliste për përfundimin e konfliktit”.

Moska vazhdon të kërkojë që Ukraina të mbetet jashtë NATO-s, vazhdon të kërkojë që t’i njihen territoret ukrainase që i ka okupuar, çarmatosjen e Ukrainës dhe heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj ekonomisë ruse.

“Kremlini mirëpret hapa të mëtejshëm të sekuencuar që dëmtojnë pozicionin e Ukrainës, siç është vendimi i SHBA-së për të pezulluar dërgesat e armëve për Ukrainën, të cilin një zëdhënës i Kremlinit e quajti ‘kontributin më të mirë për kauzën e paqes”, tha Graham./REL

Postime të lidhura