zoom

Aktualitet

Çfarë po bën policia? 6 vrasje në më pak se 24 orë

Shqipëria është tronditur sot nga ngjarjet makabre që janë shënuar në të gjithë vendin.

Bilanci me 6 viktima dhe disa të plagosur në më pak se 24 orë, tregojnë për fuqinë më të dobët se kurrë, të Policisë së Shtetit dhe ngrejnë pikëpyetje të shumta për mosparandalimin e tyre.

Saga nisi pasditen e së hënës me plagosjen rëndë të një 45-vjeçari në kryeqytet nga dora e një punonjësi të Policisë për motive, të cilat autoritetet i kanë quajtur “të dobëta”. Vetëm pak momente pas ngjarjes, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj foli për media dhe doli në mbështetje të autorit duke deklaruar se ai nuk donte ta vriste por vetëm ta plagoste 45-vjeçarin. Megjithatë, rreth 24 orë pas ngjarjes në një nga lagjet më të populluara të Tiranës, autori mbetet ende në arrati.

“Efektivi Erjon Goxhara është shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”- thuhet në njoftimin e policisë. Si është e mundur që ngjarja nuk u parandalua edhe pse e kishte zanafillën disa muaj më parë, dhe si është e mundur që efektivi i policisë kishte në posedim një armë zjarri pa leje?

Menjëherë pas kësaj, dy vdekje, u raportuan nga kryeqyteti. Policia tha fillimisht se një shtetas amerikan i kishte dhënë fund jetës në banesën e tij dhe u deshën disa orë të tjera për të zbuluar se në të njëjtin ambjent, ndodhej një tjetër trup i pajetë. Shtetasi amerikan përpara se të vetëmbytej, kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe dy qentë.
Një tjetër vrasje e dyfishtë tronditi Velipojën mbrëmjen e së hënës. 6 plumba i morën jetën dy kunetërve, Ersild Ishmit 33 vjeç dhe Arsid Hoxhës 22 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti kamarieri, Zyber Zagradi.

Deri më tani policia ka mundur të arrestojë vetëm kamarierin e plagosur në vendin e ngjarjes, dhe një tjetër person, por jo dy autorët vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku. Ashtu si ngjarjen e Tiranës, edhe në këtë rast, konflikti mes grupeve kishte nisur disa kohë më parë dhe policia dështoi të parandalonte vrasjen tragjike.

Por 24-orëshi nuk mund të mbyllej me kaq.

Dy persona të tjerë, në Mirditë dhe Memaliaj u gjetën të vrarë mëngjesin e kësaj të marten ë rrethana që Policia ende nuk ka mundur t’i zbardhë plotësisht. 68-vjeçari Frederik Radi, u vra me armë zjarri duke fjetur gjumë nga dritarja e banesës së tij në fshatin Lajthizë në Mirditë. Një 72 vjeçar që u masakrua për vdekje dhe u hodh në një përrua në fshatin Zhapokik në jug të vendit, është viktima e rradhës , një ngjarje gjithashtu pa autor.

Me shpresën që kjo do të jetë e fundit, të paktën për orët në vijim, nga Policia pritet zbardhja e plotë e të gjitha ngjajrve dhe arrestimi i autorëve përgjegjës.