Aplikacion
Duke qënë se Instituti i Statistikave ka të publikuara deri më sot të dhënat e prodhimit të brendshëm bruto të 6 mujorit të parë, në analizë po marr fillimin e sezonit turistik në periudhën prill – qershor. INSTAT raporton se prodhimi i ekonomisë në vlerë në këto muaj ishte 5.36 miliard euro ose 250 milion euro më shumë se në të njëjtin tremujor të një viti më parë.
INSTAT nuk ndan se çfarë prodhohet specifikisht nga sektori i turizimit, por merr në total të gjithë zinxhirin e ekonomisë duke llogaritur brenda dhe konsumatorët shqiptarë në kategorinë “tregti, transport, aktivitete të akomodimit dhe shërbimit ushqimor”. Gjatë prillit, majit dhe qershorit, këto degë kanë prodhuar 917 milion euro nga 897 milion që kishin prodhuar një vit më parë. Pra, një rritje me normë 2.2% dhe vetëm 20 milion euro në vlerë. Po t’i shtojmë kësaj shifre dhe 18 milion euro që u prodhuan më shumë nga kategoria “arte, argëtim, çlodhje”, shkon apo nuk shkon në maksimumi 40 milion euro më shumë që kanë ardhur nga turizmi në këtë periudhë, dhe këtu duke llogaritur dhe shqiptarët që kanë shpenzuar në sektorët transport, tregti apo argëtim.
Të dhënat nisin të ngjajnë kontradiktore po të shohësh numrin e vizitorëve të huaj. Janë 2,17 milion turistë nga 1.71 milion që ishin në tremujorin e vitit të kaluar, 460 mijë më shumë! Nëse do të pjestonim shpenzimet e tyre për akomodim, ushqim, argëtim, transport etj., do të dilte që mesatarisht 1 turist ka shpenzuar më shumë vitin e kaluar, 583 euro për person, kundrejt 477 euro këtë vit.
Ndaj entuziazmi i shfrenuar se në Shqipëri kanë ardhur shumë turistë, përpara këtyre shifrave mbetet mit ose informalitet. Në rastin e mitit i bie që qeveria të gëzohet se kanë ardhur më shumë turistë, por pa bërë llogarinë që ka marrë më pak të ardhura, ndërkohë që është paguar më shumë në shërbime (kosto për mbetjet, mirëmbajte rrugësh, siguri etj.). Skenari tjetër është që turistët janë të shumtë, mund të kenë sjellë dhe më shumë para, por fitimtarët janë një dorë biznesesh që operojnë në këtë industri dhe nuk deklarojnë. Dhe këtu nuk humb shteti, por qytetarët që duhet të mbushin gropën e buxhetit.