zoom

In Zoom

Çfarë harroi Rama kur na foli për rikthimin e basteve?

Një vit më vonë, debati i basteve online është hapur përsëri, këtë herë shumë pranë ligjësimit të tyre.  Referuar deklaratës së fundit të kryeministrit Edi Rama, për pak ditë, projektligji do të miratohet në parlament.

Zyrtarisht nuk ka ende një draft mbi ligjin që do të shkojë në Kuvend dhe të vetmet detaje publike janë ato çfarë ka thënë vetë kryeministri, apo edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli, ai që propozoi legalizimin e basteve. Sipas tij, të ardhurat do të taksohen me 15% dhe pritet të sjellin në buxhetin e shteti 17 mln euro brenda një viti. Këto para, do të ndahen më pas si fonde për sportin dhe kulturën.

Ndër të gjitha argumentet pro dhe kundër basteve, nga paraja e zezë tek fitimet e majme, Rama harroi të përmendte arsyen kryesore të mbylljes 5 vite më herët: varësinë.

“Do mbyllim bastet, një industri të kriminalizuar. Industri që sjell dëshpërim,1 nga 4 lojtarë ka menduar të vrasë veten. Është e pakonceptueshme. Përfytyro prindërit, sidomos nënat, dhe fëmijët iu kthehen në të sëmurë nga vesi i lojërave të fatit. Do mbyllen, ndryshe nga sa përflitet”, – do të thoshte kreu i qeverisë në tetor të 2018-s.

Problemi i rëndë i varësisë nuk është përmendur më nga asnjë palë pjesë e nismës. Asnjë pjesë e të ardhurave që pritet të arkëtohen nga taksimi i basteve online nuk është planifikuar të shkojë për këtë program.

Në vende ku ky aktivitet është masivisht i përhapur, si në vendin tonë, por ligjërisht, qeveritë ofrojnë burime për të menaxhuar varësinë, problemet me financat, si edhe reagimet agresive. Në Shqipëri nuk është përmendur një gjë e tillë, ndonëse draftligji nuk është publikuar ende. Gjithsesi, nëse një detaj i tillë do të ishte përfshirë, vështirë se kishte shpëtuar pa u përmendur nga të paktën, kryeministri i vendit.

Në një intervistë për një televizion vendas, Henri Telharaj, përfaqësuesi i Këshillit Shqiptar për problemet e lojërave të fatit u shpreh se me hapjen online, çdo kush do të ketë akses në to dhe janë më të predispozuar për të krijuar një lloj varësie.

“Hapja online ka vështirësitë e saj për shkak se varësia online nga lojërat e fatit, ka një tendencë 10 herë më të madhe, se sa nga varësia kur më përpara njerëzit shkonin nëpër lokale dhe vendosnin bast”, – u shpreh ai duke shtuar se marketingu i kompanive do ta bëjë edhe më delikate situatën.

Psikologia Gejsi Ndoja, tregon se moshat e reja janë më të prekurat.

“Përgjithësisht janë moshat 30-35 vjeç, ndoshta ato që sapo kanë filluar karrierën dhe mundohen të fitojnë sa më shumë. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Janë paraqitur për stres, lodhje nga puna, ngarkesë të madhe psikologjike dhe më pas del se e gjithë kjo ngarkesë rrjedh po nga lojërat e fatit”, thotë Ndoja.

Referuar të njëjtit fjalim nga kryeministri Rama, ai tregon shifra; 1 në 4 lojtarë kanë menduar vetëvrasjen, pikërisht nga bastet dhe humbjet e tyre. Sot, 5 vite më vonë, po i njëjti kryeministër na thotë se aktiviteti është shtuar (logjikisht edhe problemet), por nuk na jep më shifra të tilla. Sipas raporteve botërorë, në vitin 2022, midis 17 dhe 39% e atyre që luajnë në mënyrë problematike janë raportuar të kenë ide për vetëvrasje dhe midis 2 dhe 57% kanë raportuar përpjekje për vetëvrasje (mosha 18-22).

Në Shqipëri nuk ka as qendra rehabilitimi, për problemet me kumarin dhe lojërat e fatit. Kështu, çdo trajtim u mbetet në dorë familjarëve, kosto të cilat nuk i shlyen kurrë asnjë shumë që buron nga bastet!/Zoom.al