zoom

Ekonomi

Çfarë fshehin nervat e Ballukut për skandalet me ujësjellësat?

Ujësjellësat vazhdojnë të jenë një dhimbje koke për qeverinë Rama.

Nga borxhet miliona euroshe që shteti është detyruar të paguajë e deri tek punësimet me qëllime elektorale, ujësjellësat kanë sofistikuar dhe formën e abuzimit tashmë, duke futur në mes edhe drejtësinë.

Sot nga Vlora, zv.kryeministrja dhe përgjegjësja për sektorin e ujësjellësave Belinda Balluku doli me “shpatë” duke kërcënuar se abuzuesit do të dërgohen në SPAK, sepse “s’mund të hanë në kurriz të qytetarëve”.

Konkretisht, skema që Balluku do të dërgojë në SPAK është e tillë; punonjësit e ujësjellësit të Vlorës, duke shfrytëzuar boshllëqet rregullative dhe ligjore kanë hedhur në gjyq shoqërinë UK Vlorë duke pretenduar bonuse për vjetërsi pune, vështirësi dhe kompensime të ngjashme. Sipas burimeve në media ky dëm shkon deri në 10 mln euro vetëm në Vlorë.

Qartazi, kërcënimi i Ballukut tenton të parandalojë hapjen e infeksionit edhe në UK-të e tjera në vend, që do të çonte sektorin dhe Shqipërinë në një kaos total.

Jo më larg se pak orë më parë ishte kreu i PD-së, Sali Berisha që denoncoi se si në Bashkinë e Matit ishte dhënë tre herë një tender 10 mln eurosh për të ngritur një ujësjellës në një fshat, por ujë nuk kishte asgjëkundi.

Redi Molla, që u arrestua pak muaj më parë për korrupsion me aferën “5D” ka qenë drejtues i Ujësjellësit Rajonal Tiranë.

Në fund të 2023-shit, ujësjellësi i Durrësit arriti falimentin pasi u zhyt në borxhe. Të dhënat nga bilanci tregojnë se humbjet UKD-së u dyfishuan gjatë 2022-shit duke arritur në mbi 1 miliardë lekë afërsisht 10 milionë euro, nga 535 milionë lekë (5 mln euro) që ishin në vitin 2021.

Në raportin e auditimit për këtë ndërmarrje, thuhet se shkak është bërë keqadministrimi i ndërmarrjes dhe se ka bilance të pasakta. UKD ka dërguar të dhëna të tjera nga ato realet në Tatime dhe nuk përkonin me ato që kishte shoqëria, pra kishte mashtruar shtetin.

Në një raport të mëparshëm, Enti Rregullator i Ujit, tregonte se vetëm 3 shoqëri ujësjellëssih mund të mbulonin kostot e tyre, ndonëse të ardhurat ishin shumë të larta. Sipas ERRU, ujësjellësit rëndoheshin nga kostot e energjisë dhe numri i lartë i punonjësve, që nuk ishin të dobishëm.

Skema që ka ndodhur poshtë hundës së Ballukut dhe prapa shpinës së Ramës është rezultat i një keqmenaxhimi disavjecar dhe punësimi pa kritere i administratës publike në shërbimet parësore. Balluku duket se i frikësohet një “Berberi tjetër”, pas skandalit të kreut të ARRSH-së. Nuk ka shumë detaje ende se ku qëndron problemi i vërtetë tek ujësjellësi, por diçka po pikon dhe shumë shpejt do të plasë!