zoom

Aktualitet

Burg për influenceren shqiptare që vrau në aksident dy të rinj në Kroaci

29-vjeçarja shqiptare, Klevisa Ymeri është dënuar me 4 vite burg këtë të martë nga një gjykatë në Dubrovnik.

Ajo u shpall fajtore për një aksident që ndodhi në prill të këtij viti ku e reja shqiptare përplasi Stjepan dhe Katarina Đerek, vëlla e motër që humbën jetën. Ngjarja ndodhi në zonën e Ratacit dhe prokuroria tha se Ymeri ishte fajtore pasi po udhëtonte me shpejtësi të lartë gjë që shkaktoi përplasjen me makinën e viktimave gjatë një parakalimi. Në gjykatë dëshmoi edhe vetë Ymeri.

“U nisëm nga Milano për në Shqipëri me dy makina. Mercedesi në të cilin ndodheshin Armalindo Docano dhe Jonuz Alija dhe BMW-ja që drejtohej nga gruaja e kushëririt të Armalindos, Diana dhe unë. Ne ndërruam makinat gjatë gjithë rrugës. Unë fillova të drejtoj makinën në fund të autostradës, sepse Diana ishte e lodhur dhe kaloi tek Mercedesi.

Kam hipur në makinë rreth orës 19 dhe kam drejtuar deri në momentin e aksidentit. Para aksidentit kam qenë duke lëvizur në autokolonë me shpejtësi 60 deri në 70 km/h dhe para meje ishte një Mercedes. Ai filloi të parakalonte. Ndeza shenjën e parakalimit dhe fillova të parakaloj mjetin përballë.

Mirëpo, kur u ktheva në korsinë në të majtë, pashë se një automjet me shpejtësi të madhe po vinte nga ana e kundërt dhe u përpoqa të hiqja dorë nga parakalimi dhe fillova të kthehem në korsinë time. Para se të kthehesha ka ndodhur një përplasje dhe nuk më kujtohet asgjë më pas” – tha Ymeri.

Përfaqësuesi i familjes Đerek, një avokat nga Zagrebi tha se të akuzuarit janë vërtetuar fajtorë dhe kanë kërkuar nga gjykata që t’i dënojë sipas ligjit. Ymeri do të qëndrojë në paraburgim deri në vendimin e Apelit ku ajo mund të paraqesë ankesë në afat prej 15 ditësh. Avokati i saj tha se klientja e tij është në gjendje shoku, gjë që është krejt normale. AI tha se ajo është e re dhe një person që nuk donte vdekjen e askujt.