zoom

Aktualitet

TikTok-erja shqiptare vret me makinë dy të rinj në Kroaci

Një influencere shqiptare ka shkaktuar një aksident me dy viktima në Kroaci.

Modelja e famshme në TikTok, Klevisa Ymeri, ka parakaluar ilegalisht në zonën e Ratacit dhe është përplasur kokë më kokë me një automjet në të cilin ndodheshin dy të rinj, vëlla dhe motër: 21-vjeçari Stjepan dhe 19-vjeçarja Katarina Derek.

Shqiptarja ka qenë duke lëvizur me një fuoristradë BMW me targa sllovake e me shpejtësi 170 km/h kur është përplasur me makinën e të rinjve që kanë humbur jetën direkt.

Vetë e reja shqiptare ka pësuar lëndime të lehta dhe për këtë arsye është transferuar në repartin e kirurgjisë abdominale në Spitalin e Përgjithshëm të Dubrovnikut.

Pas aksidentit dhe daljes nga Spitali i Përgjithshëm i Dubrovnikut, shqiptarja është arrestuar dhe marrë në pyetje.

Gjykata e Qarkut të Dubrovnikut ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditor për shqiptaren Ymeri. Ajo akuzohet për parakalim krejtësisht të pakujdesshëm dhe shkaktimin e një aksidenti ku humbën jetën dy të rinj.

Mediat kroate raportojnë se as Ymeri dhe as dikush nga familja e saj nuk ka kontaktuar me familjen Derek për t’i shprehur ngushëllimet apo keqardhjen e tyre.

Përveç rrjeteve sociale, ku publikon foto/video nga jeta luksoze që bën, e reja shqiptare njihet edhe për surprizën që në vitin 2022 i bëri mikut të saj në burgun e Trentos në Itali.

Ajo së bashku me disa shqiptarë të tjerë, surprizuan të burgosurin për ditëlindje me fishekzjarre dhe altoparlant.