zoom

Lajme

Burbuqe Islami: Lotët për Tom Doshin më bënë të kandidoj për PSD

Burbuqe Islami, kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit, ka ndarë me publikun arsyen e veçantë që e shtyu t’i bashkohet Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.

E ftuar në televizionin A2, Islami deklaroi se vendimi i saj nuk ishte rezultat i një platforme politike të detajuar apo një ideali të lartë për ndryshim, por një moment emocional i papritur: lotët e qytetarëve për Tom Doshin.

Gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në Milano, ajo u prek aq shumë nga emocionet e tyre për kryetarin e PSD-së, saqë vendosi të hedhë hapin e madh në politikë.

Realitetit politik shqiptar, ku shumica e partive politike nuk shpalosin ndonjë vizion të qartë apo programe politike, Islami i ka shtuar edhe qasjen emocionale: t’i përgjigjet thirrjes së lotëve.

Ndoshta, në këtë logjikë të re, zgjedhjet nuk vendosen më nga programet. Dhe kështu, në mes të premtimeve për reforma dhe zhvillim, kemi edhe kandidatë që e bazojnë kandidaturën në histori prekëse e që me këtë logjikë do tentojnë gjithashtu të gjejnë histori prekëse për votuesit e tyre dhe jo t’i bindin që t’i votojnë mbi bazën e programeve të qarta apo premtimeve të besueshme./Zoom.al