zoom

Bota

Britania merr vendimin për strehimin e emigrantëve të paligjshëm

Mbretëria e Bashkuar ka prezantuar anijen e saj të parë akomoduese për të strehuar azilkërkuesit, mes tyre edhe shqiptarët e shumtë, ndërsa kryeministri Rishi Sunak po ndjek planet për të ulur numrin e njerëzve që kalojnë ilegalisht drejt vendit të tij.

Anija Bibby Stockholm mund të strehojë 500 emigrantë dhe do të kushtojë shumë më pak se hotelet, u shpreh ministria e Brendshme në një deklaratë, ndësa mësohet se do të ankorohet në Portland të Anglisë jugperëndimore.

“Përdorimi i hoteleve të shtrenjta për të strehuar ata që bëjnë udhëtime të paligjshme, të panevojshme dhe të rrezikshme me varka të vogla duhet të ndalet. Ne nuk do të lartësojmë interesat e emigrantëve të paligjshëm mbi popullin britanik, të cilit jemi zgjedhur t’i shërbejmë. Ne duhet të përdorim opsionet alternative të akomodimit, siç po bëjnë fqinjët tanë evropianë – duke përfshirë përdorimin e mauneve dhe trageteve – për t’i kursyer taksapaguesit britanikë miliona paundë”, tha ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick

Megjithatë, arsyetimi kryesor për strehimin e emigrantëve në anije është që në radhë të parë të pengohen njerëzit që të kalojnë kanalin në vend që të përshpejtojnë përpunimin e kërkesave për azil, thanë zyrtarë të Home Office.