zoom

Aktualitet

Blinte drogë në Krujë dhe e shiste në Tiranë, bie në pranga 25-vjeçari

Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion në Tiranë, ku në pranga është vënë një i ri 25-vjeç, i cili shiste drogë në zona të ndryshme të kryeqytetit. I riu u arrestua në kudër të operacionit të koduar “Qereka”, ndërsa gjatë periudhës hetimore policia ka sekuestruar një sasi prej 3.5 kg kanabis. Sipas policisë, 25-vjeçare e siguronte drogën në Krujë dhe më pas e shiste atë në zona të ndryshme të Tiranës.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë  kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Qereka”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. B., 25 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se 25-vjeçari, pasi siguronte në Krujë, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, e shpërndante më pas në doza, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë sekuestruar 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis”, thuhet në njoftimin e Policisë. Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.