zoom

Aktualitet

Blendi Gonxhe si blogere. Bën “giveaway” targa të personalizuara me paratë e shtetit

Blendi Gonxhe, kreu i Drejtorisë së Shërbimeve Rrugore ka nisur rrugën e tij si “blogere”. Së fundmi, në faqen e tij në Instagram, ai ka postuar një “Giveaway” ku me anë të një komenti dhe një “follow” çdokush mund të shpallet fitues. Çmimi? Dy targa të personalizuara me motive patriotizmi.

Targat e personalizuara, të njohura si “premium” janë risia e fundit që solli ky institucion me një kosto fillestare prej 2.5 mln lekësh të vjetra. Vlera ndryshon në varësi të mesazhit të përzgjedhur (numri i karaktereve, kombinimi, etj.). Minimalisht, në këtë giveaway do të falen 5 mln lekë, për disa folloë më shumë në Instagramin e zotit Gonxhe.

Përtej mungesës së seriozitet në një nga institucionet më të rëndësishme në vend, ky giveway që për Gonxhen është një “festë e madhe”, përbën shkelje.

DPSHTRR është institucion buxhetor dhe çdo shpenzim aty paguhet nga qytetarët dhe taksat e tyre. Po ashtu, fondi që vihet në dispozicion për këtë Drejtori llogaritet në përputhje me parashikimet për shpenzimet dhe miratohet në parlament. Çdo shpenzim jashtë zërave të caktuar në relacionin e buxhetit, është shkelje e ligjit. Shifra nuk është e ekzagjeruar, por keqpërdorimi i çdo qindarke nga taksapaguesit do të thotë keqpërdorim i kohës, lodhjes dhe besimit të tyre.

Lojërat “giveway” të njohura fillimisht nga markat e luksit në SHBA, janë një formë digjitale e lotarisë, ku njësoj, fituesi përzgjidhet rastësisht midis pjesëmarrësve. Një veprimtari e tillë nuk është e rregulluar në vendin tonë, por ka qenë shpeshherë burim debati.

Këngëtarë, moderatorë dhe biznese të ndryshme përqafuan këtë lloj të ri marketimi për të tërhequr sa më shumë ndjekës në llogaritë e tyre dhe shpërblimi nuk ishte aspak i lirë. Çmimet nisin nga celularët e kompjuterat, tek pushimet jashtë shtetit dhe deri tek makinat luksoze.

Lakmia për ndjekës në rrjetet sociale nuk është e panjohur për socialistët të cilët kanë një aktivitet tepër agresiv aty. Gjithsesi ajo ndryshon nga jeta reale dhe ndjekësit qëndrojnë aktivë kur kanë interes, simpati dhe përfitim sepse siç shkruan Gonxhe: Rregullat janë të thjeshta!/Zoom.al