zoom

In Zoom

BKT, Raiffeisen Bank e Policia e Shtetit fshehin të dhënat për rrjetin e inceneratorëve

Komisioni Parlamentar i ngritur për të hetuar tre koncesionet e inceneratorëve, në Elbasan, Tiranë e Fier nuk arriti të mbledhë as këtë javë të dhënat për llogaritë bankare të personave që opozita dyshon se janë përfshirë në korrupsion.

Zoom.al mëson se disa nga bankat e nivelit të dytë kanë refuzuar të japin të informacione për llogaritë e politikanëve, zyrtarëve e biznesmenëve që konsiderohen si “rrjeti i aferës së inceneratorëve”.

Pro Credit Bank dhe Abi Bank kanë dërguar informacion për llogaritë e ish –ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, por kanë refuzuar të japin të dhënat për ish –vartësin e tij, Alqi Bllakon që konsiderohet si njeriu i dokumentacionit të këtyre koncesioneve të dyshimta dhe për babain e tij, Edmond Bllakon.

Fibank ka dërguar të dhënat për Klodian Zoton, njërin prej bosëve të inceneratorëve, ndërsa ka sqaruar se Lefter Koka nuk ka llogari aktive pranë saj.

BKT (Banka Kombëtare Tregtare) dhe Raiffeisen Bank kanë refuzuar të japin të dhëna të gjithë, zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ish –ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish –Ministrin Lefter Koka, Alqi dhe Edmond Bllakon, si dhe për bosët e inceneratorëve, Mirel (Klodian) Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja.

Komisioni Hetimor i ka ripërsëritur kërkesat ndaj bankave, duke u bërë të ditur detyrimin ligjor që kanë për t’i paraqitur paralamentit të dhënat e llogarive bankare të këtyre personave. Nëse bankat do të refuzojnë, Komisioni do të thërrasë për të dëshmuar Drejtuesit e tyre.

Por veç Bankave të Nivelit të Dytë, edhe Policia e Shtetit ka refuzuar deri tani të japë të dhënat e Sistemit TIMS, mbi udhëtimet e politikanëve, zyrtarëve dhe biznesmenëve që dyshohet se qëndrojnë pas skemës së zhvatjes së parave publike përmes inceneratorëve.

Policia e drejtuar nga i sapoemëruari Gledis Nano ka kthyer përgjigje negative, duke e argumentuar atë me faktin se mund të shkelen të dhënat personale.

“Të drejtën ligjore për të marrë këtë informacion e kanë vetëm shtetasit / përfaqësuesit e tyre ligjorë, Prokuroria ose Gjykatat”, thuhet në letrën e parë nga Zoom.al, të firmosur më 18 tetor nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Komisioni nuk është pajtuar dhe ka ripërsëritur kërkesën duke bërë të qartë detyrimin ligjor. “Nëse nuk do t’i na vihen në dispozicion këto të dhëna, do të ketë padi penale për personat përgjegjës.”

Si formë presioni për të mos futur duart mbi regjistrin e udhëtimeve, anëtarët socialistë të Komisionit kërkuan që të merren të dhëna edhe mbi udhëtimet e kryetarit të Opozitës, çka demokratët e pranuan.

Partia Demokratike ka akuzuar ish –ministrin Damian Gjiknuri se ka udhëtuar 15 herë me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.
Ndërsa në vitin 2017, zëvendëskryeministri aktual Arben Ahmetaj u aksidentua në Kumanovë, teksa gjendej në një makinë së bashku me Klodian Zoton. Por sipas opozitës, me bosët e inceneratorëve kanë udhëtuar edhe Erion Veliaj, Alqi Bllako e zyrtarë të tjerë.

Hetimi i opozitës, në Komisionin Parlamentar, ndonëse po has pengesa, duket se ka arritur të zbulojë edhe disa të dhëna të tjera kompromentuese, të cilat Zoom.al do t’i bëjë publike në vijim. /Zoom.al

Postime të lidhura