zoom

Politikë

BIRN: Berisha 79 vjeç, zyrtari i parë në tre dekada që përballet me këtë situatë. Ndodhi dhe me…

Shtatëdhjetë e pesë vota nga maxhoranca socialiste sollën miratimin në seancë plenare të enjten të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për masë sigurie arrest shtëpie ose arrest me burg për ish-kryeministrin Sali Berisha, zyrtari më i lartë në vend që përballet me ndjekje penale.

Pas heqjes së imunitetit, do të jetë gjykata që do të vendosë se cila masë është e përshtatshme për këtë rast.

Kuvendi i Shqipërisë hoqi imunitetin e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha, një vendim që u miratua me votat e shumicës socialiste dhe që lejon sistemin e drejtësisë të vendosë një masë shtrënguese arrest shtëpie apo arrest me burg për të. Vendimi me 75 vota pro u zhvillua mes protestave të opozitës ndërsa vetë Berisha deklaroi se do të vijojë betejën e tij dhe i bëri thirrje ndjekësve të ndërmarrin protesta dhe mosbindje civile.

Berisha, 79 vjeç, është zyrtari më i lartë në tre dekada që përballet me një situatë të tillë. Herën e fundit që një  ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti dhe arrestim ka qenë korriku i vitit 1993 kur maxhoranca e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist Fatos Nano.

Berisha akuzohet nga SPAK se ka kryer ndryshime ligjore në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke kryer për rrjedhojë veprën penale të korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë, vepër penale që parashikon dënim deri në 12 vite burg.

Sipas prokurorëve, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit në kohën kur Berisha ishte kryeministër, mundësuan që dhëndri i tij të ndërtonte biznesin e një kompanie në të cilën ishte aksioner i padeklaruar dhe përfituar minimalisht 5.4 milionë euro dividente të paguara cash. Malltezi ka mohuar të ketë marrë pagesa dividenti cash. Berisha deklaron se është i pafajshëm dhe se akuza ndaj tij synon të shkatërrojë opozitën.

“Sot jam më i fortë se kurrë,” deklaroi ai pas vendimit për heqjen e imunitetit. “Gjithçka është ndërmarrë ndaj meje është ilegjitime dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Vendimet nga alfa te omega, janë marrë si hakmarrje e mirëfilltë politike në shkelje të çdo parimi dhe çdo ligji të këtij vendi,” shtoi ai. /BIRN/