Aplikacion
Natyrisht që këto çështje paraqesin impakt të lartë dhe janë shumë sensitive për shkak aferës korruptive të dyshuar.
Ndaj ato kanë marrë vëmendjen e opinionit publik, vendas e ndërkombëtar, duke vënë në fokus, shpesh herë, punën e prokurorëve dhe vetë SPAK-ut, për qëndrimin e mbajtur ndaj zyrtarëve përgjegjës, të dyshuar si autorë të kësaj afere korruptive.
Gjatë kësaj periudhe, shumë indicje, të dhëna dhe prova i janë servirur Prokurorisë nga aktorë politik e mediatikë, të cilat besoj se i ka shërbyer prokurorëve në orientimin e hetimit në drejtim të personave përgjegjës.
Të dhënat e bëra publike deri më tani krijojnë dyshime për një aferë korrupsioni të nivelit të lartë, që ka përfshirë të paktën tre Ministri; atë të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjës; Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë; dhe Ministrinë e Financave e Ekonomisël, si edhe Kabinetin Kryeministror e disa kryetarë Bashkie.
Referuar hetimeve zyrtare, të bëra publike, por mbështetur edhe në të dhënat, informacionet dhe provat e publikuara në media, si dhe qëndrimet e mbajtura nga aktor qeverisës, tashmë tablloja e kundërligjshmërisë dhe korrupsionit është e dukshme dhe shkon deri në nivelet më të larta qeverisëse.
Kjo aferë nuk ka të bëjë aspak me zyrtarë të nivelit të ulët, anëtarë komisionesh në bashki e ministri, të cilët janë marrë nën akuzë.
Inceneratorët u mbrojtën nga qeveria, si një program politik, ekonomik dhe social, si një risi e jashtëzakonshme në zhvillimin ekologjik dhe ekonomik të vendit.
Niveli i përgjegjësisë në këto raste shkon në nivelet më të larta qeverisëse, duke marrë parasysh fondet e përdorura, të cilat përllogariten në qindra miliona euro.
Për rrjedhojë, procedurat koncensionare për inceneratorët nuk mund të ishin në dorë të anëtarëve të komisioneve koncensionare, zyrtarë të nivelit të ulët të Ministrive e Bashkive, të cilët janë marrë nën akuzë deri tani.
Deri tani janë bërë analiza juridike nga më të ndryshmet për procedurat e këtyre kocensioneve, duke publikuar fakte që krijojnë dyshime për këtë aferë.
Ndër to, me interes janë;
– nxjerrja e disa vendimeve të qeverisë brenda një dite, pas mendimeve të dhëna nga ministritë Brenda një dite;
– Procedura e Inceneratorit të Elbasanit ka rezultuar e gjitha në kundërshtim me ligjin e koncesioneve, nuk është bërë asnjë lloj oponence teknike studimi, por aktet janë hartuar sipas dëshirës nga koncesionarët;
– Megjithëse projektet janë rajonale, nuk janë marrë mendimet e gjithë bashkive të qarkut, por vetëm të bashkive qendër qarku;
– Problemet me zbatimin e projekteve, caktimin e mbikqyrësve të projektit, transferimin e përgjegjësive nga një ministri në tjetrën;
– Probleme me shpronësimet, sidomos në Fier dhe Tiranë;
– Ndryshimi i vendit ku do ndërtohej inceneratori i Fierit, pa kryer një studim për vendin e ri;
– Firmosja, pa u miratuar në Këshillin Bashkiak, për inceneratorin e Tiranës, etj.
Këto shkelje karakterizohen nga një emergjencë e pakuptueshme në kryerjen e procedurave, ndërkohë që ligji “Për Koncensionet” nuk parashikon urgjenca të tilla.
E, sipas kësaj logjike juridike, kush mund t’i bënte këto veprime, kur bëhet fjalë për qindra miliona euro? Natyrisht, këtë forcë nuk e kanë komisionerët e akuzuar.
Kjo nuk ka as logjike juridike, por as morale! Këto procedura janë një sinkronizim veprimesh te kundërligjshme, me përgjegjësi qeverisëse nga lart poshtë, me pjesëmarrjen e disa Ministrive e Bashkive.
Ndonëse deri tani të akuzuar janë një ish-Ministër dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, akuza ndaj tyre ka të bëjë me rrethana dhe procedura që nuk përfshin skemën korruptive të inceneratorëve, por për disa shkelje të kryera në mënyre individuale (shih kërkesën e prokurorisë për dërgimin e çështjes për gjykim).
Hetimi ka shkëputur zinxhirin e përgjegjësisë së zyrtarëve të lartë, si dhe formën e bashkëpunimit!
Secila procedurë për inceneratorët ka të njëjtën formë veprimesh të kundërligjshme dhe skemë korruptive.
Në këtë kuptim, siç shihet, kjo sjellje e organeve të hetimit ka vënë në dyshim ndërgjegjen e tyre në këto hetime, e cila krijon përshtypjen e një përzgjedhjeje paraprake të personave të vënë nën përgjegjësi penale.
Raste hetimore të tilla meritojnë vëmendje edhe sa i përket mënyrës së organizmit të hetimeve.
Çështjet e tre inceneratorëve duheshin hetuar së bashku dhe me grup prokurorësh, pasi kanë të njëjtat rrethana, të njëjtët zyrtarë dhe veprat janë kryer ne formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të struktuar kriminal, parashikuar nga neni 28/4 i K.Penal.
Ndarja e çështjeve për disa të pandehur të kaluar për gjykim dhe vijimi i hetimeve për të tjerë persona, i ka bërë një dëm shumë të madh hetimeve.
Ky nuk është një hetim proaktiv për një aktivitet ose situatë të kundërligjshme që vijon, pasi procedurat e koncensioneve kanë përfunduar dhe nuk kishte arsye të copëzohet hetimi.
Kjo mënyrë veprimi ngjan me një show që bëri Prokuroria me arrestimet.
Dhe, duke mos u përmbushur pritshmëritë e opinionit publik, të gjendur përballë kritikave të drejta për punën e tyre, si edhe duke pasur parasysh afatet e paraburgimit që po përfundonin, prokurorët, të detyruar, kanë proceduar me ndarjen e çështjeve, duke lënë të kuptohet se po vijojnë hetimet.
Kjo situatë ndikon negativisht edhe tek gjyqtarët e seancave paraprake, të cilët mund të pranojnë të kalojnë çështjet për gjykim, duke parë se mangësitë mund të riparohen tek hetimet e ndara.
Në një dalje publike pak ditë më parë, ish-Ministri i Financave dhe njëkohësisht ish- zv/kryeministri, Arben Ahmetaj, në mënyrë indirekte dhe pa vullnetin e tij, faktoi përgjegjësinë në këtë aferë.
Krahas rolit si Ministër, ajo që e ngarkon më shumë me përgjegjësi ishte lidhja dhe njohja e mëparshme me administratorët e kompanive koncensionare dhe persona të lidhur me to, njohje të cilat datojnë para se të fillonin procedurat përkatëse, duke forcuar edhe më tej dyshimet se çdo gjë ishte e organizuar më parë dhe me gjithëpërfshirje.
Raste të ngjashme kanë precedentë dënimi. Gjykata për Krime të Rënda pranoi para disa vitesh kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe dënoi disa gjyqtarë, të cilët kishin përfituar të mira materiale (udhëtime e bileta stadium) nga persona që kishin lidhje të drejtëpërdrejtë me çështjet në kompetencë të tyre.
Arben Ahmetaj, ndonëse u përpoq të bindte opinionin publik që nuk ishte përgjegjësi i vetëm për inceneratoret, pothuajse i bëri thirrje Prokurorisë se ishte gati të bashkëpunonte me drejtësinë, të paktën për njërin nga inceneratorët, atë të Tiranës.
Ai përmendi disa herë orientimin e hetimeve, me termin “ndiq paratë”, pasi, siç duket, koncensionarët kanë bërë pagesa të tjera, prenotime, në llogari të ndryshme, në interes të zyrtareve të lartë.
Nisur nga çfarë është bërë publike, duke mos njohur nivelin e hetimeve me detaje, vlerësoj se Prokuroria e Posaçme ka komoditetin të vendos para përgjegjësisë këdo të përfshirë në këtë proces korruptiv, kjo edhe për faktin se të gjithë janë në mbështetje të këtyre hetimeve.
Prokuroria e Posaçme ka tashmë garancitë e duhura ligjore për të bërë hetime, si edhe ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
E theksoj që mbështetja e ndërkombëtarëve është shumë e rëndësishme dhe jo gjithnjë ka qenë e tillë.
Kur nisi hetimi për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, partnerë ndërkombëtarë, me shumë mundësi nën ndikimin e propagandës së eksponentëve të lartë qeveritarë, qëndruan në pritje për veprimet proceduriale të ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.
Prokurorëve të asaj çështje iu treguan me prova bindëse partnerëve ndërkombëtarë se veprimet proceduriale ishin objektive, të paanshme dhe të nevojshme.
Për fat të keq, atyre hetimeve nuk iu shkua deri në fund, duke shmangur shumë detaje, të cilat lidheshin me veprimtarinë e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ku ishin përfshirë një numër i madh drejtuesish të policisë, si edhe të dhëna me shumë interes për hetimin, të siguruara nga letër-porositë e transmetuara nga Italia dhe Mali i Zi.
Tashmë, për fat të mirë të strukturave hetimore, situata është tërësisht ndryshe, sigurisht në favor të Prokurorisë.
Megjithatë, ajo që bën përshtypje është ngurtësia e prokurorëve. Ata duket se kanë qëndruar pasivë, të detyruar të veprojnë vetëm kur iu dorëzohen materiale kallëzuese, pa sens iniciative për hetimin e një prej aferave më të rënda financiare të pluralizmit shqiptar.
Po ashtu, edhe dorëzimi i mandateve nga ministra e deputetë, para se të vendosen nën përgjegjesi penale, nuk duket si aftësi e punës së prokurorëve, por si një dakordësi përtej procedurave, siç ndodhi edhe në rastet e ish-Ministrit Lefter Koka dhe të ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Alqi Bllako.
Artikulimet publike gjatë diskutimeve për Reformën në Drejtësi krijuan perceptimin se krijimi i SPAK-ut do të rregullonte gjithçka që ka shkuar keq në vendin tonë.
Fjalimet euforike rritën në maksimum pritshmëritë e të gjithëve nga prokurorët e SPAK-ut, por nga ana tjetër i kanë vendosur ata nën presionin e lartë para publikut.
Në fakt, SPAK-u është një prej aktorëve të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kjo betejë jetike për Shqipërinë është e pamundur që të zhvillohet nga një institucion i vetëm.
Ndaj, presioni në maksimum për rezultate vetëm nga SPAK-u, duket se më shumë ka dëmtuar cilësinë e hetimeve dhe ka ndikuar në shpërqëndrimin e prokurorëve, të cilët herë pas here humbasin fokusin e veprimeve proceduriale dhe vendimmarrja e tyre qëndron larg pritshmërive të opinionit publik.
Shkruar nga Besim Hajdarmataj, ish-drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda – Marrë prej Bold News