zoom

Lajme

Berisha me akuza të rënda: Edi Rama, ti dhe Olsi jeni peshkaqenë të pamëshirshëm dhe në çdo vjedhje

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe vëllait të tij Olsi Rama, duke u shprehur se ata “fusin hundët në çdo vjedhje të madhe që ndodh në Shqipëri”, duke iu referuar skandaleev të koncesioneve, prokurimeve, por edhe dosjes Xibraka.

“Edi Rama, shqiptarët kanë dëgjuar për zonjën Harabel, që bënte ekspozita në plehrat e Sharrës me paratë e djegësve, Velicën e Erion Veliajt. Po kanë memorie, pallatin në pajë 5-katësh në sheshin e pallateve, në kundërshtim me ligjin, pa asnjë faturë tatimore, bankare, doganore, ndërtimore”, tha ish-kryeministri ndër të tjera në fjalimin e radhës nga ballkoni, para mbështetësve të tij.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023.

Fjala e Berishës:

“Është aktakuzë e tmerrshme për ty si gjobaxhiu më i shpifur i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Edi Rama, është e vërtetë se Erion Veliaj me soj e sorollop bashkë me drejtorët e tij ndan tendera, ndan dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Por mos harro se vetëm baxhanaku yt Fagu ka marrë së paku 120 tendera nga pushteti yt.

Vërtet Erion Veliaj u martua me paratë publike, por Edi ti i ke dhënë vëlla Olsit dhuratë 37 mijë metër katrorë tokë për bizneset e tij. Ti vërtet u the edhe ata hajdutë janë, të shpifur janë, hajdutë si ata nuk ka parë Shqipëria, por kryehajdut si ti nuk ka Europa.

Edi Rama, ke vendosur në arrest Jamarbër Malltezin sepse ka marrë 410 metër tokë trashëgimi nga gjyshërit e tij të pushkatuar. Kurse ti nga ajo tokë ke plaçkitur 1500 metër me Bolinon tënd pikërisht nga ajo tokë. Kurse ti mohon familjarin tënd, mohon thjeshtrën, vajzën e familjes, e cila në pushtetin tënd fiton me dhjetëra tendera. Dhe ligji të detyron ty o kryehajdut të deklarosh qindarkë për qindarkë fitimet e saj. Nuk ke deklaruar asnjë prej tyre.

Edi Rama, vërtet i bëre të djersijnë, i nxive dhe i sterrose hajdutët si në shpellën e Ali Babasë sot, falë atyre burrave dhe grave të guximshëm që përmbysin barrikadat. Dhe u përpoqe të bësh edhe krahasime.

Të paraqitesh si luftëtar, të fshihesh pas fustanit të Olta Xhaçkës. Nuk ke turp, u flet atyre sikur të kesh veshgjatë përpara, por shqiptarët të dinë se kush je ti.

A nuk je ti që mban në parlament deputeten që në shkelje të Kushtetutës ka marrë publike me dokumente të falsifikuara në Himarë? E mbron sepse je bashkëaksionar me ta.

Ti dhe Olsi jeni peshkaqenë të pamëshirë, keni futur dhe fusni hundët në çdo vjedhje të madhe në këtë vend.

Nuk shpëton dot ti!”. /ZOOM.AL/