zoom

Aktualitet

Beleri humbet një tjetër betejë në Gjykatë. Tani mandati konsiderohet pothuajse i humbur!

Drejtësia shqiptare i ka dhënë një tjetër goditje të fortë juridike kryebashkiakut ende të pabetuar të Himarës, Fredi Beleri. Teksa kishte humbur të paktën seancat në 5 kërkesa për lirim, zbutje mase apo leje për t’u betuar në Këshillin Bashkiak, dita e sotme ishte me rëndësi për procesin dhe vetë të pandehurin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Gjykata e Posaçme ka cilësuar të vlefshme aktet e dosjes hetimore dhe kërkesën e SPAK për proces në themel, duke rrëzuar kërkesën e avokatit të kryebashkiakut, që kërkonte shpalljen e pavlefshmërisë së çështjes dhe për rrjedhojë të vetë akteve. Kjo do i jepte lirimin e parakohshëm, teksa Prokurorisë do i duhej një hetim nga e para.

Aktualisht, me këtë vendim, edhe Qeverisë i lind e drejta për ta zëvendësuar atë nëpërmjet zgjedhjeve të parakohëshme, teksa prej 12 majit, pra prej rreth 6 muajsh, siç e parashikojnë dhe afatet e betimit, Beleri qëndron në paraburgim dhe pa bërë betimin. Në lojë hyjnë edhe KQZ dhe Presidenti i Republikës, që shpallin mandatin e humbur, datën e zgjedhjeve dhe hapin procedurat. Edhe Këshilli Bashkiak, sipas Nenit 62 të Dekriminalizimit, ka të drejtë të propozojë shkarkimin e tij nëse nuk paraqitet për 3 muaj në detyrë.

Qeveria ndodhet përballë presionit të Greqisë dhe sipas ligjit nuk mund të shkarkojë një kryebashkiak në rast se nuk është i dënuar, por mund të shfrytëzojë shkeljet e afateve që ai bën, si në këtë rast mosbetimi para këshilltarëve. Pra i lind e drejta indirekt për të kërkuar zëvendësimin e tij. Kujtojmë gjithashtu se prej më shumë se tre muajsh Këshilli Bashkiak i Himarës është konstituuar dhe që nga 27 qershori Beleri nuk është betuar ende.

Sipas ligjit, 3 muaj nga konstituimi i Këshillit dhe betimi i anëtarëve, kryebashkiaku duhet të bëjë betimin, ndryshe e humbet mandatin. Himara duket se e ka futur në lëmsh edhe procedurën ligjore të kompetencave dhe mandatit, por duket se këtu hyn drejtësia, që tashmë ka cilësuar dosjen dhe hetimet të ligjshme, duke hapur procesin gjyqësor. Në detyrë vijon të mbetet ende ish-kryetari Jorgo Goro.

Mirëpo seanca që u shoqërua sot edhe me debate të forta në sallë, përfundoi në favor të akuzës. Ky vendim e bën pothuajse të pamundur më tej deri në fund të procesit lirimin e Belerit. Po sot gjykata hapi edhe procesin në themel, teksa Beleri rrezikon tashmë jo vetëm mandatin e bashkiakut, sepse nuk betohet dot më, por edhe dënimin me burgim nëse shpallet fajtor. Vendimi i sotëm e mban ‘peng’ në paraburgim Belerin, sepse nuk mund të bëjë më kërkesa për zbutje të masës së sigurisë, derisa ky proces të përfundojë, teksa akuzohet për blerje të votave me 50 euro.

I njëjti vendim u mor dje edhe për të pandehurin tjetër si bashkëpunëtor dhe ‘sekser’ në blerje të votave, Pandeli Kokaveshi, që në fakt po hetohet në gjendje të butë arresti. Pas këtij vendimi, avokatet e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese.

Fillimisht avokatet kërkuan largimin e një prej gjyqtareve Irena Gjoka dhe më pas largimin e të gjithë trupës. Ata paraqitën si argument vendimin e gjykatës, i cili sipas tyre u shpreh edhe për papërdorshmërinë e provave, ndërsa ata kishin kërkuar vetëm pavlefshmëri të tyre.

Ndërkohë, teksa pritet nisja e seancës, dy persona kanë ngritur një banderolë para GJKKO, në të cilën shkruhet “Beleri në jug, Radoiçiçi në veri!”./ZOOM.AL/