Aplikacion
Balla prej vitesh mban postin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe në zgjedhjet e fundit ishte deputeti më i votuar në vend.
Por emri i ministrit të ri të Brendshëm është lakuar nga opozita si një nga politikanët që ka lidhje të ngushta me botën e errët të krimit të organizuar.
Balla e ka pranuar publikisht që është miku i një të dënuari me 20 vite burg për trafik droge, Edmond Begos. Por ai nuk e ka sqaruar asnjëherë publikisht sesi e ka njohur atë.
Lidhjet me këtë personazh duhet t’i kishin mjaftuar kryeministrit Rama për të mos e kishte ngjitur Taulant Ballën në atë karrige.
Nëse miqësia me Begon nuk i mjafton, media dhe opozita kanë një listë të gjatë dyshimesh e akuzash për lidhje të tjera të Taulant Ballës me grupe të medha kriminale.
Sali Berisha e ka akuzuar disa herë Ballën për lidhjen e tij me Suel Çelën, i cili konsiderohet si “ i forti” i Elbasanit dhe është shpallur në kërkim nga SPAK, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani zbuloi se Çela i kishte ofruar para për vrasjen e një biznesmeni.
Balla është akuzuar nga opozita gjithashtu se persona të afërm me të kanë lidhje me dhunimin për vdekje të kenianes Joy Aoko, e cila qëndroi disa muaj në koma dhe më pas ndërroi jetë.
Në vitin 2018, Lulzim Basha e akuzoi Ballën si porositësin e mbi 3.4 mln euro që u kapën në makinën tip Toyota Yaris, në Portin e Durrësit.
Denoncimi që u bë përpara se makina të mbërrinte në Shqipëri e vuri në vështirësi Ballën, por Edi Rama nuk u kushtoi rëndësi as kësaj here akuzave ndaj numrit 2 të Partisë Socialiste.
Emri i Ballës doli edhe në një nga historitë që trazoi politikën shqiptare në vitin 2018, rastin e Xhisiela Malokut, e cila akuzoi djalin e deputetit Rrahman Rraja, Rexhepin, se e kishte dhunuar.
Denoncimin e mori oficeri Emiljano Nuhu, i cili e pa veten në një sulm të vazhdueshëm nga fisi Rraja, që sipas tij ndihmoheshin edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Emri i Taulant Ballës doli edhe në disa përgjime telefonike tre ditë pas atentatit ndaj fisit Çapja në Elbasan në 3 shkurt të vitit 2016.
Sektori i krimeve në policinë e Elbasanit i kërkuan prokurorisë të fusë në përgjim disa numra telefoni mes të cilëve ishte dhe numri i dikujt që ata e kishin identifikuar vetëm me Taulant.
Por në 17 shkurt të atij viti, gjyqtarja Zamira Vyshka, hoqi nga përgjimi numrin dhe urdhëroi asgjësimin e CD.
Po ashtu edhe Ardian Çapja, lëshoi një akuzë të fortë ndaj Ballës, kur tha se është porositësi i vrasjes së avokatit të tij Rafik Gurra në Elbasan.
Do të mjaftonin këto që Edi Rama të mos e dërgonte Ballën në Ministrinë më të rëndësishme të qeverisë së tij. Sepse emërimi në atë detyrë i Taulant Ballës është një kambanë alarmi se Ministria e Brendshme mund të jetë bjerë lehtësisht në duart e botës së krimit. /Zoom.al
Vrasja e Martin Canit, Luis Meçja përgënjeshtron policinë: Ishin 2 autorë, ndihem i trembur