zoom

Bota

BE dhe OKB mirëpresin planin e paqes së Biden për Gazën: Lufta duhet të përfundojë tani!

Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara kanë mirëpritur planin e presidentit amerikan Joe Biden, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Të premten, Biden detajoi një propozim me tre faza të paraqitur nga Izraeli. Ai pohoi se “Hamasi nuk është më në gjendje të kryejë një 7 tetor tjetër”, një nga objektivat kryesore të luftës së Izraelit.

Si përgjigje, kryediplomati i BE-së, Josep Borell, u shpreh “E gjithë mbështetja jonë për hartën e rrugës Biden për një armëpushim të qëndrueshëm dhe lirimin e pengjeve që çon në një ndërprerje të përhershme të armiqësive, tërheqjen e IDF. Lufta duhet të përfundojë tani”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu postoi në X, duke thënë se “Unë pajtohem me gjithë zemër me Biden se propozimi i fundit është një mundësi e rëndësishme për t’i dhënë fund luftës dhe vuajtjeve civile në Gaza.

Kjo qasje me tre hapa është e balancuar dhe realiste. Tani ajo ka nevojë për mbështetje nga të gjitha palët”. /ZOOM.AL/