zoom

Ekonomi

Basti i dhëndrit të Trump me investimin luksoz në Shqipëri. Richard Grenell ikën nga projekti?

Rrethuar nga ujërat blu të detit Mesdhe, ishulli plot gurë i Sazanit dikur shërbente si një bazë ushtarake e Shqipërisë, gjatë Luftës së Ftohtë. Izoluar nga pjesa tjetër e vendit, ndërtesat e vjetra dhe bunkerët po rrënohen.

300 milje në veri, dy kulla të bombarduara qëndrojnë në bulevardin e Beogradit. Dikur ishin godinat  e ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë, që më pas u bombarduan nga NATO. Skeletët e tyre janë një atraksion turistik në kryeqytetin serb.

Asgjë nuk i lidhte këto relika me njëra-tjetrën, deri sa Jared Kushner u shfaq.

Dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump kërkon t’i kthejë këto dy vende në destinacione luksoze për ndërkombëtarët e pasur. Ai parashikon të shpenzojë më shumë se 1 mld dollarë në ndërtimin e hoteleve e shtëpive, nga fondi i tij privat “Affinity Partners”.

Projektet janë në një cep të Europës ku mungon stabiliteti politik dhe etnik dhe që tani, ka pasur kontestime lokale për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, në një rajon ku kujtimet janë akoma të prekshme.

Bunkerët e kohës së Luftës së Ftohtë në Sazan/Atdhe Mulla/Bloomberg

Qeveria shqiptare dhe ajo serbe i mbështesin këto investime nga aleati i tyre amerikane, duke thënë se i sjell vendeve përfitime ekonomike dhe përmirësim të ofertës turistike. Kritikët thonë se është nja favorizim për familjen Trump, në pritje të rizgjedhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Nëse qëllimi është ekskluziviteti, atëherë Sazani është rasti. Për dekada, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, ishulli qe ndarë nga pjesa tjetër e vendit dhe ishte zona më e vështirë për të hyrë apo dalë.

Kushner ndau paratë për investim pasi vizitoi disa herë vendin ballkanik me 2.2 mln banorë. Fondi 3 mld dollarësh mbështetet nga investitorë sauditë dhe të Lindjes së Mesme.

Projekti i Kushner do të kushtojë më shumë se 1 mld dollarë.

Qëllimi është transformimi i dy vendeve shumë të ndryshme. Interesi për Shqipërinë erdhi pas një vizite në 2021-shi, tha Kushner javën e shkuar në një telefonatë. “U intrigova. Mundësia erdhi një vit më vonë. Jam rikthyer atje disa herë për të kontrolluar gjërat dhe të sigurohesha se jam komfort. Gëzohem gjithnjë e më shumë për potencialin që ka aty”.

Agjencia e Investimeve në qeverinë shqiptare që drejtohet nga kryeministri pro-amerikan, Edi Rama ka marrë në shqyrtim aplikimin e Kushner për Sazanin, sipas ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro.

Affinity po shikon edhe për një investim të ndarën në Zvërnec, përtej Sazanit, por nuk është dërguar ende asnjë aplikim. Në këtë vend ka më shumë punë për të bërë, sepse është zonë e mbrojtur, thotë Asher Abehsera, CEO e Affinity Global Development, që punon ngushtë me Kushner.

Jared Kushner dhe Ivanka Trump/Hannah Beier/Bloomberg

Vetëm investimi në Shqipëri do të kushtojë më shumë se 1 mld dollarë, por afati kohor nuk është i qartë.

“Çdo investitor serioz, sidomos nga vendet aleate të Shqipërisë, si SHBA-ja, ka një derë të hapur për të kontribuar në rritjen e cilësisë së turizmit, një sektor jetësor për ekonominë e vendit”, tha Kumbaro.

Duke marrë parasysh pozicionin strategjik, Sazani ka kaluar shumë pushtues. Ndër shekuj është kontrolluar nga romakët, biznatinët, osmanët, venecianët, anglezët, grekët, italianët dhe më pas iu dha përfundimisht Shqipërisë pas Luftë së Dytë Botërore.

Ushtria e braktisi në 1990, pas rënies së komunizmit kur Shqipëria u fut në një kolaps ekonomik, valë masive emigracioni dhe pasiguri sociale. Iu deshën dy dekada me reforma të dhimbshme, para se Shqipëria t’i bashkohej NATO-s dhe të aplikonte për anëtarësinë në BE, në 2009-n.

Ishulli prej më shumë se 500 hektarësh do të bëhet një destinacion i lakmuar. Kushner synon të ndërtojë atje vila luksoze mbi kodrat që qëndrojnë mbi ujërat ku Adriatiku dhe Joni takojnë Mesdheun. Hoteli do të jetë pjesë e firmës luksoze Aman.

Tunelet në ishullin e Sazanit/Atdhe Mulla/Bloomberg

“Është e rrallë te gjesh diçka të tillë në Mesdhe sot, dhe kjo është vlera e Sazanit”, u shpreh Auron Tare, një historian që ka shoqëruar Kushner dhe bashkëshorten e tij Ivanka Trump përgjatë tureve në Shqipëri.

Çifti arriti në Tiranë me një avion privat, shëtitën vendin me helikopter dhe qëndruan në jahtin e një miku. Kushner tha se është i tërhequr nga rritja e shpejtë e turizmit në Shqipëri. Këtë vit vendi pret një rritje me 30- 40% të vizitorëve.

Megjithatë, ndërsa interesi rritet, rriten edhe kundërshtimet. Disa vendas, ambientalistë dhe politikanë janë të shqetësuar se ujërat e mbrojtura që rrethojnë ishullin mund të dëmtohen nga ndërtimi dhe trafiku.

Projekti i Kushner për Sazanin/ Studio Genesis

Kushner ka thënë se projekti i tij do të respektojë të gjitha standardet mjedisore për të ruajtur vijën bregdetare, ndërsa Rama tha se kritikët “e mashtrojnë veten” se zona ka qenë ndonjëherë e mbrojtur “përveç se nga ushtarët e Enver Hoxhës”.

Por kundërshtarët thonë gjithashtu se nuk kishte debate dhe rishikime të mjaftueshme për statusin e ishullit si një vend i sigurisë kombëtare. Shqipëria ndryshoi ligjin e saj për zonat e mbrojtura disa javë përpara se Kushner të shpallte publikisht planet e tij, duke hapur rrugën për ndërtimin e hoteleve me pesë yje ose “projekte të tjera strategjike të rëndësishme”.

Kjo varet nga politika dhe vjehrri i Kushnerit, sipas Alfred Lelës, sekretar i medias për Partinë Demokratike të opozitës në Shqipëri. “Duke parë që demokratët mund të humbin zgjedhjet e nëntorit, Rama kërkon të rreshtohet me administratën Trump”, tha ai.

Kumbaro, ministrja e Turizmit, tha se nuk kishte asnjë lidhje midis ndryshimeve të ligjit dhe projektit të Kushner.

Ndjeshmëria ka prekur dhe Serbinë. Affinity firmosi një qira 99-vjeçare me qeverinë atje në maj, për të kthyer godinën  e bomabrduar të NATO-s në një hotel luksoz me hapësira biznesi dhe me më shumë se 1.500 njësi rezidenciale.

Kontrata nuk është publikuar, por projekti llogaritet të shkojë 500 mln dollarë. Ministri i Ndërtimit të Serbisë, Goran Vesic tha atëherë se Affinity është një “kompani amerikane me reputacion” që do të kontribuojë në zhvillimin e Beogradit dhe Serbisë. Në udhëtimin e tij gjatë qershorit, Kushner shkoi dhe në Beograd e takoi presidentin Aleksandar Vuçiç.

Vetë vendi nuk mund të ishte më qendror dhe simbolik. Aty shihen ende mbetjet e djegura të ndërtesës së ish-ministrisë të goditur nga raketat në sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA gjatë luftës mbi Kosovën në vitin 1999. Përballë rrugës janë ndërtesa neoklasike që strehojnë selitë e qeverisë së Serbisë, ministritë e jashtme dhe të financave dhe gjykatat e larta.

Nëse Affinity vazhdon me planet për të transformuar qytetin, rrënojat do të zëvendësohen me rrokaqiej prej qelqi dhe çeliku të përbërë nga apartamente luksoze, një hotel elitar dhe hapësira zyre. Qëllimi është të fillojë faza tjetër deri në pranverë, me miratim nga autoritetet, tha Abehsera në Affinity.

Plani ndërkohë po kundërshtohet nga banorët e Beogradit dhe kundërshtarët e qeverisë, të cilët thonë se marrëveshja bie ndesh me përcaktimin e ndërtesave të dëmtuara nga Serbia si pjesë e trashëgimisë së saj kombëtare.

Partia e Re Demokratike e Serbisë në opozitë denoncoi planet për ta kthyer vendndodhjen në “një hotel me një kazino, që tallte kulturën, historinë dhe arkitekturën e Serbisë”. Ajo u zotua të luftojë “shitjen e të mirave që mbetën pas zjarrit” në Beograd.

Aleksandar Jovanoviç, një aktivist mjedisor dhe politik që po drejton një peticion në internet për të ndaluar projektin, u kërkoi beogradasve të mblidhen kundër marrëveshjes me Afinity. “Në momentin kur do të shfaqen buldozerët, ne do t’i presim ata,” tha Jovanoviç.

Kryeqyteti i Serbisë ka rregulluar pjesën më të madhe të dëmeve të NATO-s, dhe ndërtesat në qendër të qytetit ku ishte vendosur ushtria e atëhershme jugosllave bien në sy. Askush nuk vdiq në bombardimin në një natë të fundit të prillit të vitit 1999, sepse oficerët e lartë të Slobodan Millosheviçit ishin zhvendosur tashmë në strehimoret e tyre komanduese.

Struktura fantazmë, e përdorur shpesh për tabelat e ushtrisë që ftojnë rekrutët, ka fituar një qëllim të ri me kalimin e viteve, si pjesë e turneve për turistët.

 Projekti i Kushner për Beogradin/Studio Genesis

“Disa janë të tmerruar, disa thjesht të trishtuar, disa pyesin pse qyteti i mban rrënojat të ekspozuara në vend që të bëjë diçka me to,” tha Angelina Nikolic, 67 vjeç, e cila punon me kohë të pjesshme si udhërrëfyese turistike. Një beogradase që ka jetuar gjithmonë në qendër të qytetit, ajo kujton natën kur goditën raketat. “Blloqe të tëra dridheshin, unë po dridhesha në shtratin tim. Këto gjëra të mbeten përgjithmonë”, tha ajo.

Plani i Kushnerit do të përfshijë një “kompleks përkujtimor kushtuar të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s”, sipas autoriteteve të Serbisë. Kjo, gjithashtu, po rezulton pozitive sepse duket se mbështet narrativën serbe se përpjekja e udhëhequr nga SHBA ishte më shumë për pavarësinë e Kosovës dhe më pak për ndalimin e goditjes së Millosheviçit ndaj separatistëve shqiptarë etnikë.

Affinity po angazhohet me shkollat ​​dhe studiot lokale të arkitekturës se si duhet të duket memoriali, tha Abehsera,. “Ne nuk po themi vetëm, ‘pi, ne duam të bëjmë diçka të mirë’,” tha ai.

Në Shqipëri, Kushner dhe gruaja e tij u shoqëruan nga një arkitekt në vizitën e tyre të fundit. Ata ecën nëpër shtigjet e egra të Sazanit, duke kaluar ndërtesat ushtarake, shkollën dhe kinemanë e shkatërruar, të udhëhequr nga historiani Tare.

Kushner ishte i intriguar nga e kaluara e ishullit si një zonë e kufizuar ushtarake, tha historiani. Në lulëzimin e tij, Sazani ishte i aftë të përballonte çdo rrethim për gjashtë muaj, i vetëqëndrueshëm në armatim dhe ushqim. Njerëzit në qytetin bregdetar të Vlorës – vetëm 25 minuta larg me një varkë turistike – lindën, u rritën dhe u plakën pa e vizituar kurrë Sazanin.

Faza e parë e projektit do të ketë një investim prej 200 milionë deri në 250 milionë dollarë, sipas Abehsera. Sapo autoritetet të përfundojnë shqyrtimin e tyre, firma do të fillojë, tha ai.

Niko Leraj, 64-vjeçari, ish-oficer i artilerisë në brigadën e marinës, i vendosur në ishull për gati 9 vjet, shpesh vështron ishullin ku dikur jetonte me familjen e tij nga Vlora. Ai dëshiron që ishulli të restaurohet dhe rigjallërohet nga Kushner, megjithëse do të preferonte që zhvillimi të menaxhohej për njerëzit nga shteti.

“Për dikë si unë që ka jetuar në këtë ishull, më dhemb ta shoh atë të lënë pas dore për kaq shumë kohë”, tha Leraj. “Dua ta shoh përsëri të bukur.”/Bloomberg