zoom

Kosova

Bashkimi Europian: Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, detyrim ligjor!

Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në BE, Peter Stano, ka deklaruar se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një detyrim ligjor për Kosovën.

Ai tha se statuti për themelimin e Asociacionit duhet të paraqitet dhe diskutohet në tryezën e dialogut.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE) janë procese të veçanta. Megjithatë, si BE ashtu edhe KE janë organizata të bazuara në respektimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve që u përkasin pakicave kombëtare. Është e rëndësishme të kujtojmë se themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe Asociacioni është obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedh nga Marrëveshja e Dialogut e vitit 2013 – e vetmja Marrëveshje e Dialogut e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me 2/3 e shumicës.

Prandaj, është një obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhimisht një çështje e sundimit të ligjit, e rëndësishme për të dyja organizatat. Mirëpresim gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar përfundimisht tani pasi që nga viti 2013, për fat të keq, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacioneve dhe rrjedhimisht drejt mbrojtjes së shtuar të të drejtave të njeriut që u përkasin pakicave, pavarësisht mundësive të shumta për ta bërë këtë. Në të njëjtën kohë, sipas Marrëveshjeve përkatëse të Dialogut, Statuti për themelimin e Asociacionit duhet të paraqitet dhe diskutohet në Dialog. Në tetor 2023, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj – prezantoi një projekt-statut për themelimin e Asociacioni bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.

Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Ky është një njohje formale e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”, tha Stano.

Tutje zëdhënësi i BE-së në një përgjigje për RTV21 tha se përmbajtja e statutit të paralajmëruar se do të hartohet nga Qeveria e Kosovës nuk dihet dhe nuk është diskutuar me Serbinë dhe Lehtësuesin e BE-së.

“Prandaj, është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me Marrëveshjet e 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano. /ZOOM.AL/