zoom

Aktualitet

Bashkia e Shijakut rrit tarifën e pastrimit me 60 deri 160%

Qytetarët e Shijakut do të përballen me një rritje të ndjeshme të tarifës së pastrimit, pasi Bashkia u detyrua të nënshkruajë një marrëveshje për depozitimin e plehrave në landfillin privat të Sharrës, me administrator të parë Klodian Zoton. Bashkia e Shijakut parashikon që tarifa e pastrimit të rritet nga 60 deri në 160 përqind për familjet dhe bizneset.

Rritjen më të madhe në tarifën e pastrimit do ta kenë familjet me ndihmë ekonomike, si edhe ato me kryefamiljarëve invalidë. Një relacion i hartuar nga Bashkia e Shijakut parashikon që, gjatë vitit 2022, familjet më të varfra të paguajë për pastrimin 8 mijë lekë të vjetra në vit, nga 3 mijë që është aktualisht, duke shënuar një rritje tarife prej 160 përqind.

Për familjet e tjera, tarifa e pastrimit pritet të shënojë një rritje prej 60 përqind, duke shkuar në 25 mijë lekë të vjetra në vit, nga 15 mijë që është aktualisht. Kjo rritje me rreth 60 përqind të çmimit për familjet vjen pasi administrata e drejtuar nga Elton Arbana u detyrua që nënshkruajë një pakt financiar me kompaninë koncensionare ‘Integrated Energy BV’, pas krizës së sajuar të plehrave, e cila përfshiu qytetin e Shijakut gjatë verës së këtij viti.

Administrata lokale ka hartuar një relacion me çmimet e reja, të cilat do t’a kalojë për konsultim publik me grupe të ndryshme interesi të zonës. Megjithatë, përvojat e ngjashme kanë treguar se konsultimet publike nuk kanë ndryshuar asgjë në vendimmarrjen përfundimtare të institucioneve publike.

Sipas relacionit ‘Mbi ndryshimin e tarifës së pastrimit për vitin 2022’, Bashkia e Shijakut ka parashikuar që të shtojë me 50 mijë lekë të vjetra në vit pagesën për biznesin e vogël, ku përfshihen njësitë tregtare dhe shërbimit, si edhe profesionet e lira.

Ndërsa për biznesin e madh, mes të cilave restorantet, hotelet, njësitë e tregtimit të karburantit kompanitë prodhuese ato të ndërtimit e të tjerë, tarifa e pastrimit pritet shtohet me 100 mijë lekë të vjetra në vit.

Në relacionin e Bashkisë së Shijakut thuhet se zgjidhja optimale për problemin e menaxhimit të mbetjeve është depozitimi i tyre në landfillin e Sharrës. Sipas bashkisë, depozitim i mbetjeve në landfillin privat të Tiranës sjell rritjen e kostos për transportin e mbetjeve dhe depozitimin e tyre, në vlerën prej 50.208.456 lekë në vit.

Bashkia e pranon që kjo zgjidhje e rrit me 232 përqind koston e përpunimit të mbetjeve të Shijakut, krahasuar me situatën aktuale. Megjithatë, administrata lokale u detyrua të gjejë zgjidhjen tek landfilli i nisur nga Klodian Zoto, pasi qeveria “Rama”, nëpërmjet një serie vendimesh, e orientoi Bashkinë e Shijakut, ashtu si edhe disa lokalitete të tjera, që të dorëzohen para kompanisë private.
/Marre nga Syri Tv