Aplikacion
“Këta mburren se kanë hyrë 10 milionë turistë vitin e kaluar në Shqipëri, është një gënjeshtër sigurisht, siç u detyrua ta pranonte para disa ditësh nën rreshta. Mbi 60% e tyre janë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe vijnë të vizitojnë familjet e tyre, apo shqiptarë të Kosovës, apo të Maqedonisë së Veriut, apo të Malit të Zi apo të Greqisë, e kudo tjetër.
Pjesa tjetër janë turistë me shpenzime të ulëta. Turizmi shqiptar nuk është në gjendje të mbajë në këmbë veten e vet dhe jo më të krijojë një zinxhir vlerash i cili normalisht duhej të dyfishonte e të trefishonte volumin e prodhimit bujqësor. Duhej të zgjidhte një herë e përgjithmonë mirëqenien e fermerit shqiptar”, tha Basha.
Kurse më tej theksoi gjendjen e rënduar ekonomike, taksat e larta dhe falimentimin e bizneseve apo eliminimin e shtresës së mesme.
“Fermeri shqiptar duhej të ishte një kotributor neto i ekonomisë shqiptare dhe jo një mbijetues i cili e ka kokën nga mëshira e shtetit që nuk vjen. Përkundrazi vjen ndëshkimi, vjen gjoba, vjen dita kur prodhimet në vend që të shiten, hidhen. E njëjta gjë dhe me profesionet e lira. Është i vetmi vend që shtresën e mesme e trajton si armik, sepse qeveria ka frikë çdo faktorë dhe çdo aktor që mendon me kokën e vet që është në gjendje të shpreh mendimin e vet dhe jo t’i nënshtrohet pushtetit dhe mjerimit intelektual dhe politik të tij.
Për këtë arsye i ka rritur taksat shtresës së mesme, për ta stimuluar të largohet në vend që të qëndrojë këtu dhe të prodhojë vlera. Pensionet e pensionistëve shqiptarë nuk mjaftojnë as për javën e parë të muajit pa mbështetjen e familjarëve të tyre, kryesisht atyre që jetojnë jashtë vendit”, tha Basha. /ZOOM.AL/