Aplikacion
Sipas raportit të Stabilitetit Financiar, nga ky përkeqësim vetë individët presin rënie të kredimarrjes, lidhur kjo dhe me interesat e larta.
Për të njëjtën periudhë, lidhur me treguesit e lartpërmendur, BSH raporton se në pjesën e parë të vitit është përkeqësuar cilësia e kredisë. Pra është rritur kredia me probleme, që lidhet me vonesat apo mospagesat. BSH shpjegon se kjo ka ndodhur si pasojë e kursit të këmbimit.
Kreditë me probleme dominohen nga kreditë në lekë dhe kreditë e pambrojtura në valutë për pronat e paluajtshme.
Normat e interesit vazhdojnë të jenë më të larta për kreditë në lekë se sa për ato në valutë.
Rritja e fortë e kredisë së marrë nga individët për blerje banesash ka rezultuar në një rritje të peshës së kësaj kredie në 67% të kredisë së përgjithshme për individët, nga 62% në mes të vitit 2019.
Në raport me PBB-në, kredia për individët është rritur lehtë në nivelin 12%. Paralelisht me rritjen e numrit të kredive është rritur edhe vlera mesatare. Madhësia e kredisë hipotekore u rrit me 16% në rreth 4.4 milionë lekë. Në terma relativë, në raport me numrin e familjeve, numri i kredive hipotekare është rritur më shpejt sesa numri i kredive për konsum ndaj numrit të popullsisë midis 20 dhe 70 vjeç.
Gjithsesi BSH thekson se vlera e depozitave të familjeve shqiptare është shumë më e lartë se kreditë që ata kanë. Depozitat në lekë janë rritur me 4% dhe në euro me 6%. Gjithsesi raportimi rezulton në rënie për shkak të efektit statistikor kur shprehen në lekë, lidhur me zhvlerësimin e euros. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2023 depozitat e individëve në banka u pakësuan me rreth 16 miliardë lekë dhe në fund të muajit qershor ato shënonin rreth 1.2 triliardë lekë.
Për periudhën 6mujore janar-qershor autoriteti qendror thotë se presionet e inflacionit kanë qenë më së shumti të brendshme, ndikuar fort nga rritja e pagave.