zoom

Bota

Banka Botërore ngrin financimet për Afganistanin

Banka Botërore ka ndaluar së financuari projekte në Afganistan, pasi talebanët morën kontrollin e vendit disa ditë më parë. Ky vendim vjen menjëherë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pezulloi pagesat për Afganistanin.

Administrata e Biden gjithashtu ka ngrirë asetet e bankës qendrore të Afganistanit, të cilat ruhen në SHBA.

“Ne i kemi ndaluar disbursimet në operacionet tona në Afganistan dhe jemi duke monitoruar me shumë kujdes situatën, sipas politikave dhe procedurave tona të brendshme”, një zëdhënës i Bankës Botërore u shpreh për BBC.

“Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me komunitetin ndërkombëtar dhe partnerët tanë, me të cilët po shohim mënyra të tjera se si mund të vazhdojmë të mbështesim qytetarët në Afganistan,” shtoi ai.

Që nga viti 2002, Banka Botërore ka dhënë më shumë se 5.3 miliardë dollarë për të financuar projekte rindërtimi dhe zhvillimi në Afganistan.

Të premten, ky institucion lajmëroi stafin se ekipi që ndodhej në Kabul, si dhe familjet e tyre, janë evakuuar nga Afganistani dhe janë dërguar në Pakistan.

Disa ditë pasi talebanët morën kontrollin e Kabulit, Shtëpia e Bardhë tha se asnjë nga asetet e bankës qendrore të Afganistanit që mbahen në SHBA nuk do të jenë të disponueshme për talebanët. Banka e Afganistanit ruan rreth 9 miliardë dollar në Shtetet e Bashkuara./Përgatiti: Alesia Doçi