zoom

Aktualitet

Balluku: Të hënën hapet Unaza e Madhe

Pasditen e së hënës Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë gati për qarkullimin e automjeteve, njoftoi zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Aktualisht po punohet për detajet e fundit që kanë të bëjnë me vendosjen e sinjalistikës dhe elementëve të tjerë të sigurisë rrugore.

Zëvendëskryeministrja Balluku tha se gjatë këtyre javëve është punuar me forca të shtuara, pavarësisht kushteve të motit, për të bërë të mundur finalizimin e kësaj vepre në afatin e parashikuar.

“Ne i kemi dhënë më shpejt kantiereve tona, pavarësisht kushteve të motit që gjatë dhjetorit nuk na kanë ndihmuar, pikërisht për ta dorëzuar dhe për ta çliruar kryeqytetin, pasi siç kemi thënë Unaza e Madhe nuk është vetëm në shërbim të banorëve të kryeqytetit, por është në shërbim të të gjithë atyre vizitorëve që vijnë nga të katërt anët e Shqipërisë”, tha Balluku.
Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuar.

“Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Është një autostradë e cila është trajtuar me mobilim urban, pikërisht sepse kalon në zona të banuara dhe është një vepër infrastrukturore që për ne do të kthehet në një praktikë të mirë për t’u ndjekur sesi bashkërendimi i të gjithë aktorëve, por sigurisht edhe kontributi i ndërtuesve, mund të sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër”, nënvizoi Balluku.

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej afro 29 kilometrash.

Postime të lidhura