zoom

Aktualitet

Balla përgëzon policinë për arrestimin e ish-krahut të djathtë të Ardi Veliut

Taulant Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për megaopercionin ku mes të cilëve u arrestua ish-krahu i djathtë i Ardi Veliut, Olti Bistri, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe, drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Kukës, Xhevahir Lita.

“Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin”, shkruan Balla.

Në fjalën e parë, pasi mori postin e Ministrit të Brendshëm, Balla ngriti një pyetje, drejtuar Ardi Veliut: “Kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Por ata janë të vegjël, të mëdhenjt nuk janë kapur ende”.

Olti Bistri ka qenë ndër njerëzit më të afërt të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili sot është në krye të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.

Olti Bistri u emërua nga Ardi Veliu 2 herë drejtor policie në Durres e në Lezhë. Ndërsa më parë e kisjte emëruar edhe shef të Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.

Postimi i Ballës:

Gjatë gjithë natës së sotme Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar, rezultat konkret i bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme, të cilën e falenderoj për bashkëpunimin dhe besimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin.

Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë.

Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit.

Gjithashtu shpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit👐🏿