zoom

Aktualitet

Babai i Ibrahim Licit mohon: Djali im ishte në Tiranë kur u vra Mustafa, kam prova kamerat

Teksa Ibrahim Lici u arrestua pak ditë më parë në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, babai i tij ka mohuar akuzat.

Mustafa Lici tha sot para SPAK-ut se djali i tij ka qenë në Tiranë kur është vrarë Mustafa.

“Dosjen e ka bërë gati Ardit Hasanbegaj dhe Niko Brahimaj. Pasi bëri dosjen e djalit tim Niko Brahimi u bë drejtor i Policisë Kriminale.

Kam dorëzuar pamjet filmike dhe qelizat telefonike që djali im ndodhej në Tiranë. Pamjet i kam bërë në shumë kopje se nuk kam besim.”, tha Lici për mediat.

Interpol Tirana po punon për ekstradimin sa më shpejt të tij drejt Tiranës, për t’iu nënshtruar hetimeve në Shkodër, por edhe të SPAK.

Policia dhe Prokuroria deklaruan se kanë mundur që të zbardhin vrasjen e Endri Mustafës, i cili u gjet i pajetë buzë liqenit të Shkodrës në zonën  e Livadheve, më 17 maj 2021.

Në kërkim për këtë ngjarje u shpall Ibrahim Lici, një person i njohur për policinë. Ndërkohë në pranga lidhur me vrasjen e Endri Mustafës ka rënë edhe 15-vjeçari i quajtur Ergys M., i cili dyshohet se në bashkëpunim me Ibrahim Licin kanë vrarë Endri Mustafën.

I mituri u përdor për ta futur në kurth Mustafën, duke i shkuar te shtëpia dhe joshur se kishte parë një kal të mirë te Livazhet. Megjithë paralajmërimet e gruas, viktima doli nga banesa dhe shkoi, derisa u gjet i ekzekutuar me disa plumba.

I mituri pranoi të rrëfehej, duke thënë se ia kishte kërkuar Ibrahim Lici. Familja e viktimës doli hapur dhe tha se i mituri gënjen, pasi ata nuk kanë asnjë konflikt me Licët, por me Bilalët.

Hetuesit mendojnë se Lici e vrau Mustafën pasi e spiunonte tek kundërshtarët, Bajrat dhe Bilalët.

Këta të fundit akuzonin Licin se u vrau dy familjarët në vitin 2020 në Shkodër, Ibrahim dhe Astrit Bilali, një prej tyre babai i ish-boksierit kamipion Astmer Bilali.

I mituri u dërgua në gjyq, me status bashkëpunëtori, një proces i mbyllur në shkallën e parë me mbi një dekadë burg. /ZOOM.AL/