zoom

Ekonomi

Autoriteti i Konkurrencës nuk gjobiti asnjë kompani gjatë vitit të shkuar

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vendosur asnjë gjobë për vitin 2021, ndonëse hetimet e hapura kanë qenë të shumta dhe të shpeshta.

Të dhënat e buxhetit të këtij institucioni tregojnë se edhe për vitin e kaluar të vetmet të ardhura të realizuara nga ky institucion ishin ato që e kanë burimin në pagesat e ndërmarrjeve për vlerësimin e përqendrimeve, me një vlerë prej 16.6 milionë lekësh.

Viti i fundit në kalendar kur AK ka vendosur gjoba ka qenë ai i 2018-s, për një shumë totale prej 269 milionë lekësh. Këtu përfshihen gjobat ndaj ish-AMC/Telekom Albania (e vendosur që në 2007), Vodafone Albania, SGS Automotive Albania, etj.

Gjatë vitit të shkuar në fakt, Konkurrenca vendosi të gjobisë disa kompani të mjeteve mjekësore dhe inputeve bujqësore, por asnjë shumë nuk është marrë nga këto raste.

Kjo sepse, referuar dhe deklaratave të drejtorit të ri të AK-së, Denar Biba, “gjyqësori i rrëzon kërkesat e Autoritetit për gjoba kur konstatohen shkelje”.

Në dy vitet e fundit, shtrenjtimi i çmimeve në tregjet kryesore për konsumatorët ka rritur pritshmëritë e publikut ndaj Autoritetit të Konkurrencës për ndërmarrjen e masave që garantojnë funksionimin e konkurrencës së ndershme në tregje.

Më herët hetimet e hapura nga AK për tregun e karburanteve dhe rezultoi se çdo vit nga 2017-2021 ishin hapur dy hetime. Por askush nuk ishte gjobitur.