zoom

Aktualitet

Autobotë me ujë dhe furgona policie, blindohet Kryeministria pak minuta para protestës

Kanë mbetur vetëm pak minuta nga nisja e protestës së opozitës dhe për këtë arsye policia ka marrë masa të shumta sigurie para Kryeministrisë.

Bëhet e ditur se aty janë vendosur disa autobote me ujë, si masë shtesë në rast të agravimit të protestës. Gjithashtu thuhet se janë mbi 1500 efektivë policie të angazhuar për mbarëvajtjen e kësaj proteste.

Teksa është thirrur protesta e opozitës, Policia e Shtetit ka zbarkuar në terren, ku ka nisur rrethimi i godinave qeveritare në zonën ku do të mbahet tubimi.

Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Ndërkohë, si në çdo tubim, dyert e kryeministrisë janë blinduar me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Ndërsa pak minuta më parë në zyrën e Ramës është parë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili mesa duket është thirrur të raportojë mbi masat e marra nga Policia e Shtetit për mbarëvajtjen e kësaj proteste, por edhe ku ka dhënë direktivat e tij.