zoom

Slider

Atmosfera aktuale/ Përballja me Hungarinë, tifozët kuqezi pushtojnë rrugët e Elbasanit

Kthehen tifozët në ndeshjet e Kombëtares dhe kthehen njëkohësisht edhe pamjet që i kishim harruar; ato të radhëve të gjata për të hyrë në stadium apo edhe radhëve për bileta në biletarinë e impianteve.

Atmosfera në Elbasan duket tepër e ndezur. Tifozë të shumtë, të veshur me flamujt kuqezi dhe me plisa mbi kokë, marshojnë në bulevardin e qytetit.

Edhe pse me kapacitet të kufizuar, prania e tifozëve në “Elbasan Arena” ka bërë që në hyrje të krijohen radhë për të hyrë në impiantin që do të presë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

Tifozët prej disa minutash presin në radhë që të kalojnë kordonët policore të sigurisë, para se të shkojnë në tribunat përkatëse.

Njëkohësisht është krijuar edhe një radhë e gjatë e atyre që janë nisur drejt Elbasanit dhe tashmë kërkojnë bileta për të hyrë në impiant, për të ndjekur Shqipërinë për herë të parë në stadium që nga viti 2019.