zoom

Aktualitet

Atentati ndaj Bejtes/ Dështon seanca e parë, 2 të arrestuarit refuzojnë statusin e të penduarit

Seanca e parë e marrjes në pyetje nga oficerët gjyqësore dhe prokurorët e Tiranës ka dështuar.

Dy të ndaluarit si autorë e bashkëpunëtorë në ekzekutimin e Gentjan Bejtjas në atentat, në Larushkt të Fushë-Krujës më 15 mars, refuzojnë të rrëfehen për të implikuarit, organizatorët apo porositësit.

Ata mbajtën qëndrim mohues, edhe pse u përballën me provat që hetuesit u vunë përpara. Mësohet se Beqaraj dhe Haxhiu thanë se nuk kishin lidhje me vrasjen dhe ndodheshin në vende të ndryshme, duke pretenduar alibi.

Policia njoftoi sot se ka arrestuar dy persona për vrasjen e Gentian Bejtjas në Fushë-Krujë, sipas provave paraprake të siguruara deri tani.

Në pranga ranë Ilir Beqaraj, me identitetet Beqiraj dhe Mançellari dhe dokumente false si kosovar, si dhe Edison Haxhiu. Beqaraj është njëkohësisht kushëriri i Ylli Brahimit, ky i identifikuar si një nga ushtarët më të besuar të Ervis Martinajt, biznesmenit të zhdukur pa gjurmë që nga 8 gushti i vitit të kaluar. Brahimaj i shpëtoi një atentati vitin e kaluar.

Të arrestuarit për vrasjen e Gentian Bejtjas nuk kanë bashkëpunuar me hetuesit, edhe pse iu është ofruar statusi i të penduarit dhe mbrojtje.

Nga ana tjetër janë siguruar prova se Beqaraj ishte një prej 3 ekzekutorëve të maskuar që hynë në oborrin e banesës së Bejtjas dhe e vranë me mbi 100 plumba kallashi, në sy të familjes dhe teksa vadiste perimet. haxhiu vuri në dispozicion makinën për arratisje.

Të dyshuar janë edhe kushëriri i Martinajt, Emiljano Nina, i arrestuar kohë më parë për tjetër ngjarje e që besohet se mund të jetë organizatori dhe miku tjetër Eljo Hato, ende në kërkim. Por për të arritur deri tek ata, hetuesve u duhen prova të forta. /ZOOM.AL/