zoom

Aktualitet

Asfalt elektoral/ Tallja e Ballukut me “Rrugën e Arbrit”, segmente të rrënuara dhe gjysmake

Rruga e Arbrit ka kaluar një histori të komplikuar kostosh dhe procedurash, nga planet fillestare për ndërtimin e saj me 70 milionë euro, deri në ditët e sotme ku fatura pritet të arrijë mbi 350 milionë euro.

Deri në fund të nëntorit 2022, koncesionari i Rrugës së Arbrit rezulton të ketë marrë 11.5 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit, ose rreth 100 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave.

Balluku u shpreh pak ditë më parë se punimet në këtë aks janë drejt fundit dhe në pak ditë aksi do të jetë i kalueshëm për të gjitha mjetet.

“Ne parashikojmë që brenda 10 ditësh ky segment rrugor të hapet. Segmenti Plani i Bardhë – Qafa e Buallit, ka qenë lot i vështirë për shkak të pjesës së skarpateve”, deklaroi Balluku.

Këtë vit mbushen 5 vjet nga hyrja në fuqi e kontratës. Sipas përcaktimeve në kontratë rruga duhej të ishte dorëzuar e plotë maksimumi më 2022. Por punimet e e tërhequra zvarrë, bënë që edhe pjesët e mbaruara më parë të jenë gjysmake e të rrënuara.

E njëjta situatë vijon edhe sot, ku duket se për efekt elektoral, asfalti po shtrohet me shpejtësi për të qenë gati për zgjedhje e për të treguar dhe njëherë punët e mbaruara të qeverisë. Ndërsa janë dhënë 10 milionë euro për skarpatat, në këto akse nuk vërehet asnjë punim. Nuk janë respektuar parametrat e gjerësisë, shesh- pushimet, mbrojtjet anësore të skarpateve, etj.

Rruga është tepërt e ngusht dhe cilësia e asfaltit lë për të dëshiruar, por ethet e fushatës kanë bërë që rruga të përfundojë edhe pse në kushte aspak të mira. Njëjtë siç ndodhi në zgjedhjet e para, ku pas hapjes së disa segmenteve të Rrugës së Arbrit, punimet e bëra në papërgjegjshmëri çuan në rrënim të rrugës, e cila tashmë është gropa-gropa, megjthëse taksapaguesit shqiptarë do tu duhet të paguajnë për gjatë 13 viteve borxhin së bashku me interesat, privatit./zoom.al/