Aplikacion
“Shiko shtëpitë si janë copë-copë”, shfryn Fitim Fusha, 70-vjeç, i cili mbijeton fal një biçikletë që e ka shndërruar në karrocë transporti dhe me të cilën mbledh kanaçe alumini për riciklim.
“Po e kam dëgjuar që eterniti është kancerogjen,” pohon Fitimi, duke parë nga çatitë prej eterniti të lagjes. “Mua më pikon shtëpia, por të paktën nuk e kam me eternit”, shtoi ai.
E vendosur në krah të djathtë të rrugës autombobilistike që e lidh me pjesën tjetër të qytetit, një pjesë e madhe e banesave të lagjes ‘Jani Vruho’ i kanë çatitë të mbuluara me material asbesti.
Ky lloj materiali është përdorur nga sektori i ndërtimeve para viteve 1990 në të në të gjithë territorin e vendit, kryesisht për mbulesa të objekteve të industrisë por edhe të banimit në periferi të qyteteve. Materiali prodhohej në Vlorë me lastra të cilat kanë 25% fibra asbesti dhe pjesën tjetër çimento.
Sipas ekspertëve degradimi i këtij materiale është një minë me sahat për banorët e lagjes ‘Jani Vruho’.
“Me kalimin e kohës nën ekspozimin e agjentëve atmosferikë dielli, i ftohti, i nxehti, shiu, çimentoja gërryhet, erodohet dhe fijet ekspozohen ndaj erës dhe hyjnë në përbërje të ajrit,” shpjegoi Romeo Hanxhari, profesor në Universitetin e Tiranës. “Nga ajri mund të hyjnë në brendësi të trupit të njeriut nëpërmjet frymëmarrjes,” shtoi ai.
Bashkia e Beratit në një përgjigje me shkrim pranoi se që nga viti 2005 materialet e ndërtimit që përmbajnë asbest klasifikohen si mbetje të rrezikshme, por shtoi se nuk është përgjegjëse për pastrimin e tij.
“Në mbështetje të ligjit 10 431, datë 9.6.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar Neni 21 “Përgjegjësia për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, pika 1 citon “Krijuesi ose zotëruesi fillestar i mbetjeve e kryen trajtimin e tyre vetë ose përmes një tregtari a personi tjetër që kryen operacione trajtimi të mbetjeve”, pra është përgjegjësi e vetë subjektit ose individit”, tha bashkia.
Material kancerogjen
Asbesti është i rrezikshëm për shkak të fibrave mikroskopike që çlirohen në ajër kur materialet që përmbajnë asbest prishen ose përpunohen. Kur këto fibra thithen, ato mund të bllokohen në mushkëri dhe të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë, duke shkaktuar dëme serioze në shëndetin e njeriut.
Valter Zenuni ka punuar më shumë se 20 vjet si murator dhe çdo ditë zgjohet me frikë nga asbesti që mbulon çatinë e shtëpisë së tij.
“Jam lindur këtu në këtë banesë dhe këtu kam rritur dhe pesë fëmijët e mi,” tha ai. “Duke qenë se kam punuar gjithë jetën me mjeshtra ndërtimi, i kam pyetur rreth asbestit dhe më kanë thënë se sa më shumë kalojnë vitet – nga kushtet e motit, dielli, shiu, materiali bëhet i rrezikshëm,” theksoi 71-vjeçari.
I ndërgjegjshëm për rrezikun që vjen nga asbesti, Zenuni shpreson se një ditë bashkia do të ndërhyjë dhe do ta zgjidh këtë problem.
“Unë nuk kam asnjë mundësi për të ndërruar çatitë, pastaj dhe i trembem eternitit, më mirë thonë që mos ta prek, por ai do të prishet vetë nëse nuk është prishur, ndaj dikush duhet të mendojë për ne”, tha Zenuni.
Refije Gega, 73 vjeçe, përveç sëmundjeve të moshës si tensioni dhe kolesteroli vuan edhe nga tiroidet, sëmundje të cilën ajo e lidh dhe me prezencën e asbestit.
“Mu desh dhe operacioni nga tiroidja, ndoshta ka ndikuar dhe flama që kemi mbi çati”, tha Gega, ndërsa u ankua se askush nuk kujtohet për ata.
Njësoj si familje të tjera në lagje edhe familja Gega nuk ka mjete financiare që ti japë zgjidhje problemit dhe shpreson që të ndërhyjë bashkia.
“Para dy-tre vitesh është diskutuar se bashkia do ta zgjidhte këtë problem dhe ne na është kërkuar që mos të bëjmë asgjë vetë, sepse do ishte më keq për ne, por askush nuk u kujtua për hallin ton”, shtoi Gega.
Profesor Romeo Hanxhari theksoi se për heqjen e asbestit duhet të veprohet me shumë kujdes.
“Asbesti është një problem i madh kur është, por bëhet problem 100 herë më i madh nëse hiqet jashtë kushteve teknike,” tha ai.
“Duhet ndërhyrje rehabilituese nëpërmjet strukturave shtetërore që ato të hiqen brenda kushteve teknike,” tha ai. “Është një punë e specializuar që nuk e bëjnë dot banorët vetë dhe [jo] çdo kompani ndërtimi ”, shtoi Hanxhari.
Dhe pse me kalimin e kohës asbesti bëhet i rrezikshëm për shkakun se çatia është më shumë e ekspozuar ndaj agjentëve atmosferikë, Hanxhari apeloi që banorët mos ti kap paniku dhe ti heqin vetë ato.
“Armiku më i rrezikshëm për këtë problem është paniku që i kap banorët kur ata dëgjojnë që ka një problem, se asbesti është kancerogjen dhe paniku i shtynë që ti heqin mbulesat vetë jashtë kushteve teknike dhe në atë rast ekspozohen shumë më tepër se po ti lënë aty”, u shpreh ai.
Në pamundësi të heqjes Hanxhari rekomandon që të tregohet kujdes për të shtyrë sa mundet degradimin e tyre.
“Mund të lyhen me një bojë që fibrat të kompaktësohen, mos ti marri era dhe pastaj në një moment tjetër ato të hiqen sipas kushteve teknike”, tha Hanxhari.
Shkelje e të Drejtave të Njeriut
Gentian Sejrani, jurist në Organizatën Drejtësi Sociale. Foto Geri Emiri
Shqetësimin mbi rrezikun e asbestit në këtë lagje e kanë ngritur pranë Bashkisë së Beratit dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian.
Organizata Drejtësi Sociale që vepron prej disa vitesh dhe në qytetin e Beratit nëpërmjet ofrimit të ndihmës ligjore parësore dhe dytësore për minoritetet egjiptian dhe rom e ka ngritur në vëmendje të bashkisë këtë çështje.
“Gjatë vizitave tona në terren për identifikimin e rasteve që kanë nevojë për mbështetje ligjore, u njohëm me këtë problematikë gjatë diskutimit me disa nga familjet që banojnë prej vitesh në godina që janë të mbuluara me material eternit që është një material tej mase i rrezikshëm për shëndetin e njeriut”, tha Gentian Sejrani, nga organizata “Drejtësi Sociale”.
Serjani shtoi se kanë kontaktuar me drejtoreshën e strehimit social, të cilën e kanë informuar mbi situatën dhe kanë kërkuar që të përgatitet një projekt dhe të aplikohej te Ministria Financave dhe Ekonomisë tek programi i rikonstruksionit të banesave të familjeve në nevojë, por drejtoresha është shprehur se ky është një vendim që ka nevojë për vullnet politik dhe duhet të komunikonim me nënkryetarin e bashkisë që mbulon strehimin.
“Kemi shkuar dy here për të diskutuar me nënkryetarin, por nuk ka qenë e mundur pasi ka qenë i zënë me gjëra të tjera,” tha Serjani. “Mendoj se është mbartur prej vitesh për arsye se nuk ka pasur vullnet nga ana e bashkisë për ti dhëne zgjidhje kësaj problematike”, shtoi ai.
Heshtja që kanë treguar institucionet përballë kësaj problematike, bëjnë që si jurist Serjani të vlerësojë se në këtë rast banorëve po u shkelet e drejta për jetesë të sigurt.
“Çdo qytetarë ka të drejtën për jetesë të sigurt referuar Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut. GJEDNJ-ja nëpërmjet vendimeve të saj i ka dhënë një interpretim kësaj Konvente duke përfshirë dhe të drejtën për të jetuar në një banesë të sigurt,” tha ai.
“Në këtë rast shohim se, bashkia e Beratit nuk po ndërmerr veprime konkrete për të shmangur rrezikun e këtij materiale për jetën e këtyre qytetarëve”, përfundoi Serjani.
Në përgjigjen e saj Bashkia e Beratit tha për BIRN se e ka ndjekur si problematikë nisur nga konstatimet në terren të mbetjeve me përmbajtje asbesti dhe theksoi se do shikonte mundësinë për të tërhequr projekte për zgjidhjen e problemit.
“Jemi të hapur për krijimin e ndonjë mundësie në alokimin e ndonjë projekti për mbrojtjen e mjedisit dhe të individëve, pasi vet menaxhimi dhe trajtimi i këtyre lloj mbetjeve kërkon një operacion shumë specifikë”, tha bashkia.
Përballë faktit që asbesti vazhdon të degradojë banorët e lagjes ‘Jani Vruho’ bëjnë apel për ndihmë.
“Jeta dhe shëndeti ynë u pa që kur erdhëm të jetojmë në këto shtëpi, por të paktën tu sigurojmë fëmijëve, nipërve dhe mbesave shëndet”, përfundoi Refije Gega.
Kërkoi zbutje të masës së sigurisë, GJKKO lë në burg Beqjan: Ka dyshime që mund të largohet