zoom

Aktualitet

Arrestohet i kërkuari i “Revanshit” Astrit Avdyli, kreu i grupit të Shijakut. SPAK e akuzon për…

Një tjetër VIP i botës së krimit ra në prangat e Policisë së Shtetit dhe SPAK, nga lista e dosjes së bujshme me 50 emra dhe 7 organizata kriminale të fuqishme.

Bëhet me dije se sot u arrestua pas lokalizimit dhe kërkimeve prej një muaji, i cilësuari si koka e grupit të Shijakut, Astrit Avdyli, i shoqëruar dhe hetuar më parë për hetimin “Vol-Vo 4”.

Mësohet se Avdyli është arrestuar në ambientet e shtëpisë së tij në Shijak. Në momentin e arrestimit, i është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë e cila ishte pa leje. I dyshuari nuk ka bërë rezistencë ndaj bluve, teksa u deklarua i pafajshëm.

Ai konsiderohet edhe si personi i fundit që mund ta ketë takuar “mbretin e kumarit” Ervis Martinaj gushtin e dy viteve më parë, pak orë para se të zhdukej dhe ka dijeni për fatin e biznesmenit që kërkohet për disa dosje penale tashmë nga SPAK.

Astrit Balliu (alis Avdyli, Sulejmani) u arrestua për dosjen 339 për sasinë prej 200 kg heroinë që u sekuestrua në Has në tetor të 2018 dhe që tashmë ndodhet në burg në pritje të gjykimit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Astrit Balliu është pjesë e grupit Avdyli. Rezulton i dënuar me 12 vite nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “vrasja me paramendim”.

Avdyli ishte shpallur në kërkim edhe në kuadër të operacionit “Revanshi”. Dosja e bujshme përmban emra të fuqishëm të botës së krimit, madje edhe ish-deputetin socialist Arben Ndoka, tashmë në arrati dhe që fshihet në Dubai.

Të akuzuarit dyshohen se paguanin miliona euro për të eliminuar njëri-tjetrin me skuadra killerash për hakmarrje apo kontroll të aktiviteteve ilegale dhe territorit. Arben Ndoka akuzohet se kishte paguar grupin e Ervis Martinajt dhe Emiljano Shullazit që të vriste Durim Bamin për hakmarrje, pasi ky i fundit dyshohej se i kishte vrarë vëllanë, Aleksandër Ndoka, më 2017 në Lezhë.

Gjithashtu Bami, i arrestuar në Dubai dhe në pritje të ekstradimit, akuzohet se tentoi të vriste ish-deputetin. Në dosje del edhe grupi i Avdylajve të Shijakut me aleanca të ndryshme, klani i vëllezërve Duka dhe grupet e Shkodrës. /ZOOM.AL/