Aplikacion
“Krahut” të djathtë të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do t’i komunikohet masa e sigurisë nesër në orën 12:00, së bashku me dy biznesmenët e tjerë të arrestuar, Valter Begaj dhe Ervis Lami.
Mësohet se shkak i shtyrjes së seancës është bërë për njohjen e akteve. Kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i ministres Balluku, u vendos në pranga disa orë pasi kishte dalë nga ambientet e zyrës së tij në Autoritetin Rrugor Shqiptar, në afërsi të banesës së tij.
Gjatë kontrollit që agjentët e BKH-së dhe SPAK kanë ushtruar në banesën e drejtorit të “rrugëve” është gjetur një shumë e konsiderueshme prej 40 milionë lekësh dhe piktura të shtrentja, të cilat sipas, Evis Berberi ka pretenduar se i ka pikturuar vetë dhe nuk janë blerë.
Kreu i Autoritetit Rrugor, Evis Berberi mësohet se ka pasur marrëdhënie të ngushta me dy biznesmenët e arrestuar po nga SPAK, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Ndërsa sipas SPAK mes dy siptërmarresit ka edhe transaksione të shumta financiare, që çuan në prangosjen e Evis Berberit.
Sipas SPAK, Evis Berberi, në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë dhe më pas në cilësinë e kreut të ARRSH-së, ka kërkuar, pranuar dhe marrë nga shoqëria “Net-Group” (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur Evis Berberi ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë Daam të kontrolluar prej tij.
Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të tenderave nga ana e shoqërisë “Net-Group” që zotërohej nga biznesmeni Valter Begaj dhe më pas vlerat monetare kanë kaluar nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë Daam, që ishte në zotërim indirekt të kreut të ARRSH-s, Evis Berberi, i cili ishte edhe përfitues i parave.
Shoqëria Daam është menaxhuar nga Brunilda Buli, Valter Begaj, Ervis Lami. Vlerat monetare të përfituara, Evis Berberi, sipas SPAK, i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë Daam.
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur Evis Berberi, ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e Valter Begajt, “Net-Group”.
Kurse gjatë kohës kur Evis Berberi, ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e Valter Begajt, “Net-Group”.
Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “Daam” sh.p.k., në zotërim indirekt të Evis Berberi ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e Valter Begajt “Net-Group” në vlerën 223,480,476 lekë, me tvsh.
Berberi akuzohet se ka përfituar me skemë financiare korruptive 2,2 mln euro nga tenderët preferencialë. /ZOOM.AL/