Aplikacion
Tensionet nisën pas moslejimit të deputetëve të përjashtuar të opozitës në seancën plenare, ndërsa godina e parlamentit u rrethua me punonjës Gardës e të FNSH.
Ligjvënësit të cilët ia dolën të hyjnë brenda nuk lejuan zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit duke kërkuar largimin e forcave të Gardës dhe kthimin e të gjithë deputetëve në Kuvend.
Situata u “nxeh” kur deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti hodhi një solucion mbi deputetët e mazhorancës.
Kaq mjaftoi që kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali të shpërthejë në akuza ndaj deputetes demokrate se po hodhi benzinë dhe rezikonte jetën e deputetëve të tjerë.
Deputetja Hoti tha se ishte parfum, por mazhoranca vijoi të viktimizohej dhe ta hiperbolizonte aktin e deputetes së opozitës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, duke lexuar një deklaratë, që mesa duket i erdhi me SMS, kërcënoi deputetët e PD me pasoja penale.
Spiropali madje shkoi deri aty sa mbylli punimet e kuvendit, për të pritur një përgjigje nga ekspertët nëse bëhej fjalë për benzinë. “Po ankohen deputetët se vjen një erë e rëndë. Ekspertët ta verifikojnë. 15 minuta pushim,” tha ajo.
Pas 15 minutash, kur deputetët e opozitës e kishin lënë të gjithë sallën, seanca vijoi normalisht dhe “era e keqe” duket se ishte zhdukur.
Por jashtë parlamentit, skenën e teatrit me ngjarje të hiperbolizuara e mori opozita. Deputetët e saj ngritën alarmin se një nga punonjësit e policisë, me të cilët u përballën jashtë ambjenteve të Kuvendit, i drejtoi armën deputetit Luan Baçi.
Madje, demokrati Baçi u shpreh se arma iu vendos në gjoks. Në videon që shpërndau vetë PD, një efektiv i FNSH duket që çon dorën aty ku mbahet zakonisht pistoleta, por në fakt nga vetë pamjet duket se ai nuk ka armë.
Në një reagim të mëvonshëm, Policia e Shtetit përgënjeshtroi lajmin duke deklaruar se asnjë nga efektivët e policisë nuk ishte i armatosur, kjo, konform ligjit të tubimeve.
Policia shpërndau edhe një video ku duket se efektivi mbante një “spry lotsjellës”. Por PD insistoi se aty dukej edhe arma.
Ajo që duket në të vërtetë, nuk është armë (shih videon e mëposhtme të Zoom.al).
Sot kundështarët politikë patën një prej ditëve më të tensionuara. Secila, në veprimin dhe retorikën e saj tentoi të tregojë tjetrin me gisht. Por fajësimi i kundërshtarit duke përdorur dy ngjarje të pavërteta vetëm për përfitime politike, i çoi aq larg duke treguar asgjë më pak se frikën që kanë se njëra palë mund të djegë e tjetra mund të vrasë, vetëm për pushtet. /Zoom.al
View this post on Instagram