zoom

In Zoom

“Arlis Construction” me kate pa leje te “Syri i Tiranës”? A do të konfiskohet?

Kryeministri Rama habiti dje kur në prezantimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë denoncoi një ndërtim pa leje në qendër të Tiranës.

“Më falni, por është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në rërë, sa dhe në mes të Tiranës, sa dhe këtu ngjitur me sheshin Skënderbej që vetëm nuk bërtet pallati, “shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër”, po i hyrë gjembë në këmbë”, deklaroi kryeministri.

Zoom.al ka mësuar nga burime pranë kryeministrit se denoncimi publik i Ramës është për kullën “Syri i Tiranës”, që po ngrihet në hapësirën mes rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, mu në rrëzë të sheshit “Skënderbej”.

“Eye of Tirana – Syri i Tiranës”, i projektuar nga një studio daneze, me një sipërfaqe prej 55 mijë metra katrorë, do të duhet të ishte me 26 kate. Ajo do të ketë hapësira për hotel, zyra dhe apartamente.

Eye of Tirana

Por po t’i numërosh katet sot, teksa kulla vijon të lartësohet, ato janë mbi 30. A do t’i shembë qeveria këto kate pa leje apo t’i sekuestrojë për t’ua dhënë qytetarëve, siç deklaroi kryeministri Rama?

“Lartohet përpara syve të të gjithëve një pallat pa leje dhe s’i hyn gjëmb në këmbë. Natyrisht ai pallat tani ose do shembet ose do konfiskohet”, deklaroi Rama.

“ARLIS CONSTRUCION – NDËRTIM”

Projekti po ndërtohet nga “Arlis Construction”, një kompani e përfolur shpeshherë në media. Në vitin 2019 ajo u akuzua se prishi një lulishte për të ndërtuar një pallat shumëkatësh, në zonën e 21 Dhjetorit. Projekti i pagëzuar si “Square 21” ngjalli protesta të banorëve të zonës.

“Kompania “Arlis-Ndërtim,” që zotërohet nga Armand Lilo, një ndërtues i afërt me qeverinë, planifikoi në zonën e ish-Uzinës një kompleks pallatesh që shtrihet në rreth 15,500 metra katror. Projekti zinte jo vetëm lulishten që ishte bërë pas vitit 2015, por edhe godinat e ish-Uzinës dhe Policisë Bashkiake. Pas 21 shkurtit 2017, me leje të Erion Veliajt, kompania nisi ndërtimin e një pjese të kompleksit. Anën perëndimore, anën që zuri lulishten. Në lejen e bërë publike, Arlis-Ndërtim detyrohej të paguante 1,5 milionë euro (207,478,160 lekë) taksë infrastrukture”, shkruanin mediat në atë kohë.

Square 21

Kompania “Arlis Construction -Ndërtim” dyshohet se ka shkelur rregullat e ndërtimit edhe në një projekt tjetër, pranë Farmacisë 10, në Tiranë.

LIDHJET E PRONARIT TË “ARLIS CONSTRUCION” ME QEVERINË

Pronari i “Arlis Construction”, Armand Lilo, është kushëriri i bashkëshortes së ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Leja e ndërtimit për kompleksin ‘Square 21” është firmosur nga dhëndri i Xhafajt, Ditjon Baboçi, i cili në atë kohë mbante postin e Drejtorit të Urbanistikës.

Armand Lilo rezulton i përfshirë edhe me ish-Ministrin tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ndodhet në burg. Në makinën e Lilos, një fuoristradë tip Range Rover, me targa AA 718 OS, të cilin e kishte në përdorim Orest Sota, policia gjeti dy patenta skafi të Saimir Tahirit dhe 863 mijë euro. Sota u ndalua në Elbasan në kohën kur Saimir Tahiri po përballej me akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe lidhjet me grupin Habilaj.

Armand Lilo, pronar i “Arlis Construction”

Aktualisht përflitet se ai është një lidhje e fortë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt. Jo pak media e komentuan deklaratën e kryeministrit Rama si një sulm nga kryebashkiakut Veliaj, pasi i kujtoi se është ai ende kryeministër dhe se është ai që i merr kostot për çdo shkelje të ligjit.

“Përkundrazi, gjembat më hyjnë mua të parit”, tha Rama teksa i kërkoi policisë të mos lejojë më asnjë ndërtim pa leje, veçanërisht ato në qendër të Tiranës, duke mos u lënë mundësi as t’i legalizojnë përmes praktikave korruptive.

“Boll më ndërto me teorinë e faktit të kryer, korrupto policin korrupto dhe inspektorët dhe në fund futi një legalizim fitimeve marramendëse në rrugë të paligjshme. S’do ketë më kurrë legalizime për kate apo metra katrore pa leje për qëllim fitimi, kurrë, ta harrojnë!” – ishte paralajmërimi i Ramës.

Për sa i përket të ardhurave nga kompania e tij, sipas të dhënave të Open Data, Lilo pati rreth 76 mijë euro fitime në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 fitimet e iu shumëfishuan në 2 milionë euro. Në vitin 2020 raportoi 1.7 miliardë lekë të ardhura.

Në Në vitin 2013, Armand Lilo u përfshi në një konflikt pronësie në zonën e Yzberishtit. Sipas medias, bashkë me Ervis Nakjen, ai rrahu pronarin e truallit ku po ndërtonte një pallat dhe i plagosi atij të birin. /Zoom.al