Aplikacion
Paplekaj ka kërkuar kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës në lidhje me vrasjen e ish-zyrtarit në Elbasan.
Gjithashtu, Apeli ka vendosur të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si dhe të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.
Gjithashtu, do të kërkohet informacion në lidhje me hetimet që po kryhen për identifikimin e personave të tjerë qe qëlluan në vendngjarje. Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, duke e dënuar me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Si ndodhi ngjarja?
Ishte ora 14:00 e drekës së 21 prillit (4 ditë para zgjedhjeve vendore) kur Arjan Hoxha, përgjegjës i sigurisë për shtabin elektoral të PD-së në Elbasan, komunikoi me punonjësit e policisë, duke u thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, për të cilin pretendonin se po kryente veprime për blerje votash.
Arjan Hoxha shoqërohej nga shtetasit Arbër Paplekaj, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe Nuredin Kasma, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë dhe ish-punonjës policie dhe nuk janë banorë të qarkut Elbasan.
Ata i bllokuan qarkullimin e automjetit fuoristradë ‘ML’, të drejtuar nga shtetasi M.G., duke i prerë rrugën dhe marrë çelësin e automjetit. Ndaj tij dyshohet se janë kryer veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim.
Me mbërritjen e Policisë, konflikti përshkallëzoi dhe armët u vunë në përdorim. Atë ditë mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani, një ish-zyrtar i LSI-së dhe më pas aktivist i PS. Aty u plagosën edhe shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xh. S. Këmbëzën dyshohej se e tërhoqi Paplekaj, të cili iu sekuestrua një armë zjarri e tipit “Glock”.
20 gëzhoja të kalibrave 9 dhe 11.1 milimetra, 4 predha, tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celular, pamje filmike ishin provat materiale të skenës së krimit.
Pas arrestimit të të rinjve të PD-së, Prkuroria e Elbasanit kërkoi arrest shtëpiak për 6 policë, të përfshirë në ngjarje, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu. Sipas prokurorisë, 6 efektivët e repartit “Shqiponja”, kanë pasur dijeni për makinat, të cilat kishin armë në Elbasan.
Kush ishte Pjerin Xhuvani?
Xhuvani përveç se emër i njohur për struktuarat e Partisë Socialiste, është edhe një person i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi është një personazh që është akuzuar për mashtrim dhe falsifikim në skemën e rimbursimit të ilaçeve, në periudhën kur drejtonte Fondin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.
Emri i tij u lakua në çështjen e Kostandin Xhuvanit, djalit të deputetes së PS, Luiza Xhuvani, që u arrestua me akuzën e katër vrasjeve. Xhuvani në atë kohë falsifikimi raportin mjekësor të djalit të Luiza Xhuvanit, i cili në atë periudhë arriti të marrë pafajësinë. Asokohe Xhuvani ishte drejtor i spitalit Psikiatrik të Elbasanit.
Lidhjet me politikën
Vrasja e Xhuvanit nuk ngeli vetëm një lajm kronike, por u bë ngërç politik për të gjitha kahet politike, përshkak edhe të lidhjeve të drejtpërdrejta. Paplekaj, ishte shoqërues i Gazment Bardhit, përfaqësuesit demokrat të qarkut Elbasan. Atëherë Bardhi, duke theksuar se Paplekaj qëlloi për vetëmbrojtje, tregoi se në makinën e të ndjerit Xhuvani, ishin gjetur karta identiteti dhe para, dy mjetet që shërbejnë për blerjen e një vote.
Demokratët, ndonëse në grupe të ndryshme, i qëndruan së njëjtës narrativë; vetëmbrojtje. Kështu u shpreh edhe kreu i PD-së së Rithemelimit, Sali Berisha, i cili u shpreh se përgjegjësi për ngjarjen ka Taulant Balla. Atëkohë, Balla ishte përfaqësues i PS-së në Elbasan. Balla pranoi se njihej personalisht me të ndjerin.
Kryeministri Edi Rama, hezitoi t’i përgjigjej të njëjtës pyetje, nëse njihej apo jo me Xhuvanin. Përballë mediave, ai e kaloi topin tek ish-bashkëpunëtori i tij, Ilir Meta.
“Po çfarë ndryshon kjo? Ndryshon gjë? Ia vlen të them që ai ka qenë drejtues i LSI-së për shumë vite në Elbasan? Që ai ka qenë krenaria e Metës për shumë vite në Elbasan? Ia vlen ta them unë tani këtë gjë. Ia vlen të futem të përmend këtë gjë, imagjinoni të kundërtën, sikur të ishte vrarë një person me armën e një njeriu të dalë nga një furgon i PS-së, do të ishte djegur spitali i Fierit,”- tha Rama mbrëmjen e 21 prillit.
Nga ana tjetër ishte Balla dhe e gjithë qeveria që akuzonin PD-në dhe llir Metën për terror dhe grupe paramilitare që shantazhonin votuesit./Zoom.al