zoom

Ekonomi

Anketa/ Biznesi ndjehet “i braktisur” nga qeveria dhe shoqatat e biznesit

Të paktën 7 nga 10 kompani të anketuara nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve, perceptojnë se nuk informohen e as mbështeten sa duhet nga qeveria dhe dhomat e biznesit.

Në një hulumtim që lidhet me konkurrueshëmrinë dhe aksesin në tregje të produkteve shqiptare me standarde europiane thuhet se “operatorët ekonomikë theksojnë një mungesë të konsiderueshme të mbështetjes, jo vetëm nga agjencitë qeveritare, por edhe nga shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë.

Bizneset perceptojnë se dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit nuk ofrojnë informacion të përditësuar mbi legjislacionin e produkteve. Gjithashtu, qeveria nuk arrin të mbështesë operatorët ekonomikë me informacionin e nevojshëm dhe ndihmën financiare në këtë fushë”.

Sekretariati vlerëson se sipas perceptimit të biznesit, 7 nga 10 pranuan mungesën e informacionit të përditësuar nga shoqatat e biznesit/ dhomat e tregtisë për detyrimet që lidhen me legjislacionin dhe infrastrukturën e cilësisë, standardet dhe 2 nga 10 kompani nuk janë në dijeni nëse një informacion i tillë disponohet.

Panorama mbetet e ngjashme edhe për institucionet publike ku tre nga pesë kompani deklarojnë se qeveria nuk ofron masa për të lehtësuar aksesin në certifikim dhe dy në pesë kompani theksojnë mungesën e asistencës financiare të shtetit për uljen e kostove për përftimin e standardeve.

“Nga konsultimi ynë me biznese individuale dhe dhomat e tregtisë, përfshirë të dhënat nga anketa, evidentohet se një pjesë e konsiderueshme e bizneseve nuk janë në dijeni të ndonjë mbështetjeje nga qeveria, duke evidentuar ose mungesën e interesit ose mungesën e besimit tek institucionet publike përgjegjëse” thuhet në anketë.

I njëjti publikim vlerëson se mbështetja financiare për pajisjet dhe teknologjinë, thjeshtimi i procedurave për marrjen e certifikatave dhe programet e edukimit dhe trajnimit mbi standardet janë identifikuar si masat kryesore mbështetëse në të cilat qeveria duhet të investojë për të inkurajuar kompanitë të prodhojnë dhe tregtojnë në përputhje me standardet.

Sekretariati theksoi në tërësi se ka një mungesë të të dhënave statistikore që në fakt janë baza kur vjen puna tek ndërmarrja e politikave.

“Identifikohet një mungesë të dhënash statistikore institucionale (për produktet jo-ushqimore) për operatorët ekonomikë lokal që shoqërohet me mungesë të identifikimit të sektorëve prioritarë me potencial konkurrues brenda vendit dhe për eksport” vlerëson KI./Monitor