zoom

Aktualitet

Anija “Libra” niset sërish nga Italia, do të sjellë 8 emigrantë në Gjadër

Anija italiane ‘Libra’, e përdorur nga Qeveria e Giorgia Melonit për të transferuar emigrantë në qendrat e diskutueshme të ndalimit në Shqipëri, ndodhet aktualisht në lundrim me 8 emigrantë drejt vendit tonë.

Anija u nis natën e kaluardhe pritet të mbërrijë të enjten ose të premten, në varësi të kushteve të motit.

Qeveria e udhëhequr nga Meloni po përdor këtë anije për të pritur në det të hapur disa emigrantë – burra të rritur dhe të shëndetshëm që vijnë nga vende të konsideruara të sigurta dhe për t’i dërguar fillimisht në qendrën e Shëngjinit dhe më pas në atë të Gjadrit, sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shqipërinë.

Hera e parë që Meloni e vuri në zbatim këtë strategji ishte më 16 tetor, por dështoi: anija transportoi vetëm 16 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi, nga të cilët 4 duhej të ktheheshin menjëherë në Itali për shkak se ishin të mitur ose “të cenueshëm”.

Shumë shpejt pas kësaj, edhe të dymbëdhjetët e mbetur u desh të largoheshin nga Shqipëria dhe të ktheheshin në Itali sepse një Gjykatë në Romë vendosi që as Egjipti dhe as Bangladeshi nuk mund të konsideroheshin “vende të sigurta”, duke u bazuar në një vendim të Gjykatës së Bashkimit Evropian.