zoom

Aktualitet

Anëtar i një grupi kriminal, “Katërkëndëshi” i zbulon bazat me armë dhe drogë 43-vjeçarit në Peqin

Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Elbasanit ditën e sotme, pasi akuzohet se në një ambient në pronësi të tij janë zbuluar arsenal armësh e municionesh, kokainë dhe targa mjetesh false.

Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet I. M., banues në Peqin.

Ai akuzohet për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “punësimi i paligjshëm”, “ndërtimi i paligjshëm” dhe “falsifikimi i vulave, i stampave ose formulareve”.

“Arrestohet në flagrancë 43-vjeçari që i kishte fshehur ato, në ambientet në pronësi të tij. 43-vjeçari, anëtar i një krupi kriminal, i dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale. Gjatë operacionit u zbulua se ky shtetas kishte ndërtuar një objekt, pa leje. Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të çdo forme tjetër të shfaqes së tyre, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Katërkëndshi”, tha policia në njoftimin zyrtar.

Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për 43-vjeçarin që posedonte pa leje, në ambientet e biznesit në pronësi të tij, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, si edhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në disa ambiente (pikë inertesh, varrezë makinash, stallë bagëtish), ku si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. /ZOOM.AL/