Aplikacion
Xi udhëtoi nga Franca, ku ishte takuar paraprakisht me presidentin Emmanuel Macron, i cili i bëri trysni atij t’i lehtësojë kufizimet e Kinës për tregtinë dhe ta përdorë ndikimin e tij ndaj Rusisë për ndaljen e luftës së Kremlinit në Ukrainë.
Lideri kinez ka shumë mundësi të përballet me më pak presion në Beograd nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili vazhdimisht ka kërkuar t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Kinën dhe Rusinë, pavarësisht se thotë se synon ta anëtarësojë vendin e vet në Bashkim Evropian.
Xi u mirëprit në aeroport nga Vuçiç, kryeministri Millosh Vuçeviç, kryetarja e Parlamentit, Ana Bërnabiç, ministri i Jashtëm, Marko Gjuriç, ish-presidenti Tomisllav Nikolliç, si dhe ambasadorja serbe në Kinë, Maja Stefanoviç.
Pas qëndrimit në Serbi, Xi do të udhëtojë në Budapest, ku kryeministri hungarez, Viktor Orban, pritet t’i ofrojë mikpritje në ngrohtë. Edhe Orbani ka mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, edhe pse Hungaria është anëtare e BE-së.
Në vizitën e tij të dytë në Serbi në tetë vjetët e fundit, Xi me siguri do të bisedojë për një sërë temash me Vuçiçin – nga politika e jashtme te ekonomia, teknologjia dhe kultura. Politikat nacionaliste dhe miqësore ndaj Rusisë të Vuçiçit e kanë alarmuar Perëndimin.
Në Pekin, vizita në Serbi u përshkrua si forcim shtesë i “miqësisë së çeliktë” mes dy vendeve, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e quajti Xinë “mik të madh” të Serbisë.
Mediat serbe raportuan për masa të mëdha të sigurisë gjatë vizitës së Xi. Rreth 3.400 pjesëtarë të sigurisë janë angazhuar për t’u kujdesur për sigurinë e delegacionit të Xi, i cili përbëhet nga 400 anëtarë.
Para vizitës së presidentit kinez, Beogradi u stolis me flamuj të Serbisë dhe të Kinës, si dhe me mesazhe mirëseardhëse në gjuhën serbe dhe atë kineze përgjatë rrugës nga aeroporti drejt qendrës së qytetit.
Avioni i Xi u shoqërua nga avionët luftarakë MiG-29 pasi mbërriti në hapësirën ajrore të Serbisë./REL
Qeveria kulla për vete dhe për privatët, KKT kaloi disa projekte nga shtatori në nëntor