Aplikacion
Analistët politikë janë përpjekur të japin ide të ndryshme në mediat online dhe ato audiovizive.
Andi Bushati shkruan në portalin e tij Lapsi.al se largimi i Bashës, edhe pse mund të mos jetë i sinqertë, hap rrugën për bashkimin e PD. Por PD-ja e ardhshme, thotë ai, duhet të ndërtohet mbi një model të ndryshëm nga ai i Bashës.
Andi Bushati: “Pra, nuk ka asnjë mëdyshje se aktit të Bashës i mungon thelbi dhe përmbajtja. Por me gjithë atë atij i shkon shprehja: më mirë e pasinqertë sesa hiç fare. Sepse, jo duke bërë “një hap pas” por duke hapur krahun, ikja e Bashës lë një shteg të ngushtë për ripajtimin e grupeve në PD. Ndonëse ngjan e pamundur kjo mundësi duhet eksploruar pasi këtij vendi sot i duhet më shumë se kurrë një opozitë e fortë. Dhe e tillë mund të jetë, nëse e shfrytëzon largimin e ish kryetarit, por ama nuk përvetëson asgjë nga alibitë me të cilat ai e arsyetoi aktin e tij. Sepse PD nuk i vlen karrigja që Basha la bosh, por një model i ndryshëm nga i tiji: parimor në beteja, krenar para oligarkeve, i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e kauzave dhe dinjitoz karshi ambasadorëve. Dhe PD mund të gjejë atë vetëm duke përvetësuar arsyet reale se pse iku Luli dhe duke mos i besuar alibive të tij të fundit.”
Blendi Fevziu, në një koment në Tv Klan, parashikon disa skenarë, si mundësi të pajtimit të PD-së dhe të rikthimit të saj si forcë fituese.
Blendi Fevziu: “Ka disa skenarë. E para njëherë është që PD të zhbllokohet me një garë. Sepse nuk ka një zgjidhje tjetër. E dyta është që PD duhet të ketë një kompromis të palëve të larguara. E treta është që PD duhet të jetë e hapur dhe për ata persona që janë larguar përpara 25 Prillit në momente të ndryshme”.
Mero Baze, një kritik i Berishës, në gazetën e tij Tema, që i shërben qeverisë, thotë se largimi i Bashës e vë tashmë Sali Berishën dhe të tijët përballë SHBA-ve.
Mero Baze: “Me dorëheqjen e tij, Lulzim Basha ka lënë zbuluar Sali Berishën dhe gjithë aleatët e tij të hapur dhe të fshehtë në të gjitha krahët, përballë SHBA dhe Perëndimit. Entuziasmi i tyre se duke mundur Lulzim Bashën po mundin SHBA dhe Perëndimin, sot merr fund.”
Mentor Nazarko shkruan në Panorama se Berisha, edhe pse gëzon shumicën e mbështetjes brenda PD-së, nuk do të mund ta shndërrojë atë në një parti që mbështetet nga shumica e shqiptarëve.
Mentor Nazarko: “Berisha flet për një pjesë të popullit, së cilës i pëlqejnë shumë fjalitë e tij, mirëpo kjo pjesë e popullit nuk është shumicë. Nuk ka shanse të kthehet shumicë, për shumë arsye. Madje, dhe për shkak të protestës, e cila po krijon figura, model opozite, teza, legjitimitet moral të ri, duke vënë në vështirësi Ramën, por dhe Berishën. Këtë e dinë dhe mbështetësit e tij politikanë, të cilët ndihen kësisoj në udhëkryq. Ja e hoqën Bashën që i poshtëroi, i çoi në humbje, po pastaj? Humbjet e Berishës, me Berishën mund të jenë më dinjitoze, por humbje janë.”
Sami Neza, po në Panorama sheh Berishën si shpresë, si për një reformim të thellë e të shpejtë të PD ashtu edhe si forcë që mund të rrëzojë qeverinë Rama, përpara se të shkohet në zgjedhjet vendore të vitit 2023.
Sami Neza: “Nëse PD i bie të hyjë në zgjedhje lokale të 2023 me këtë qeveri, ekziston rreziku i një krize tjetër në PD. Kështu që duhet luftuar për qeveri të re dhe ndërkohë për garanci të brendshme që një rezultat jo i mirë në zgjedhjet lokale nuk do të sjellë krizë tjetër në PD. Dorëheqja e Bashës nuk është gjithçka, pasi ka lënë një PD të dobët, të përçarë, grup parlamentar ende me defekte, kryesi dhe këshill kombëtar joefektiv. Shpejtësia e reformës është kusht, aq sa edhe cilësia e saj. Berisha i ka mundësitë t’i bëjë të dyja nëse shtrin reformën e PD në një hapësirë të gjerë. Tani ka shpresë. Dhe mes shumë problematikave që do të dalin, shpresa është një aset që kapërcen me sukses dobësitë e krijuara prej mungesës së saj.”
Edhe nga këto analiza rezulton se, ashtu si e shkuara, edhe e ardhmja e PD vërtitet mes fatit të Bashës dhe Berishës. Dorëheqja e Bashës duket se i ka hapur rrugë bashkimit të dy palëve, edhe pse ai ngjan shumë i vështirë për shkak të pozicioneve ekstreme që morën ata pas shpalljes së Berishës “non grata” nga SHBA. Por pas bashkimi nuk e bën PD-në domosdoshmërisht forcë të parë. Ajo do të duhet të bindë jo vetëm demokratët se do të ndërtojë një model të ndryshëm nga çfarë kemi parë këto vite, por edhe shqiptarët e pakënaqur nga politika në tërësi. /Zoom.al
Investigimi i mediave të huaja – Si u fuqizua Dritan Rexhepi, krimineli më i kërkuar në Europë