Aplikacion
“Do të kërkoj që Edi Rama, Lulzim Basha si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, kërkoj që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake, të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë”.
Ambasadorja Yuri Kim pohon se nga takimet që ka bërë me shqiptarë në zona të ndryshme të vendit, ka kuptuar se atyre iu ka ardhur në majë të hundës me metodat e vjetra dhe duan ndryshim të vërtetë.
“Shqiptarët duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa”.
Futja e opozitës në parlament për ambasadoren është një lajm i mire, por ajo kërkoi që parlamenti i ri të adresojë rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR për 25 prillin dhe siguroi se SHBA, është e gatshme të japë kontributin e saj, për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura dhe Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi që të punojnë me shumicën dhe opozitën në Parlament, për të trajtuar problemet e përsëritura në zgjedhje teksa ato angazhohen në punë serioze dhe ndërpartiake për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të plotësojnë standarde më të larta.
Kim thotë se korrupsioni në Shqipëri është përdorur si armë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë për të blerë politikanë. Sipas saj, këto veprime bien ndesh me parimet e Shteteve të Bashkuara.
“Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë përmes fjalëve dhe veprimeve të tyre se lufta kundër korrupsionit është një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Duam një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë. Duam një partner, jo një problem”.
Zyrtarja e lartë amerikane thotë se SHBA do e mbështesë fuqimisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të BE-së.
“Më 1 janar 2022, Shqipëria do të marrë rolin më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë në skenën botërore, duke u ulur përkrah Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Rusisë dhe Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërsa vazhdon të zbatojë reformat e nevojshme, Shqipëria i afrohet më shumë, ditë pas dite, Konferencës së Parë Ndërqeveritare që do të fillojë formalisht negociatat për anëtarësim në BE – një proces dhe synim që Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht”.
Diplomatja amerikane në editorial shkruan se Refoma në Drejtësi po jep rezultate reale, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ambasadorja shpreson se në vijim do të ketë më shumë investime amerikane në Shqipëri.