zoom

Aktualitet

Akuzohet se vrau policin, dëshmia e Mërnicës: Mendova se më shau dhe e qëllova, s’bëhem pishman…

Pak pas dorëzimit dhe arrestimit, zbardhet dëshmia e autorit të krimit Azgan Mërnica, i cili akuzohet se qëlloi me plumb pistolete në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, pas një sherri që dyshohet se ishte i çastit.

Burime policore bëjnë me dije 23-vjeçari ka deklaruar se gjithçka ka qenë momentale dhe se nuk është bërë aspak pishman për atë që ndodhi. Mërnica ka deklaruar se po lëvizte me makinë dhe pasagjere ka pasur nënën e tij dhe duke kaluar në një rrugë në fshatin Baltëz, është ndeshur me makinë në rrugë me policin Nevruz Cenalia.

“Në një moment kam kuptuar dhe pashë që polici ma bëri me dorë dhe kam menduar që më ka sharë dhe ofenduar. Në këtë moment dola jashtë makinës për t’u sqaruar dhe pashë që polici afroi dorën te arma e shërbimit”, ka thënë i dyshuari. Sipas tij, e ka qëlluar duke menduar se do ta vriste efektivi i pari, pasi pa lëvizjen e dorës.

Por hetuesit nuk i besojnë kësaj dëshmie dhe alibie, teksa po verifikohen të gjitha dëshmitë dhe pistat, nëse ka konflikte të mëparshme, apo shkak është dhe detyra. Dëshmia e autorit e krimit është marrë me rezerva nga grupi hetimor dhe do të ripyetet sërish.

Dëshmia e Mernicës në Polici:

“Unë isha duke ikur me makinë nga qyteti në fshat, kisha marrë makinën e dajës dhe nënën do e çoja te daja. Isha duke ecur shpejt dhe shkëmbehem me policin që shkonte nga fshati në qytet dhe për pak sa nuk u përplasa me të. Ai më bëri me shenjë ndalo. Unë zbrita nga makina. Zbriti dhe ai nga makina. Aty kemi bërë llafe. Ai më tha ku shkon ti me këtë shpejtësi more dhe më ofendoi. Kur ai bëri me dorë unë kujtova se më shau dhe u nxeha.

Momenti që u kthye për të hipur në makinë, unë nxora pistoletën nga çanta dhe e qëllova te koka mbrapa. Shkova te daja dhe e lashë makinën atje. Pastaj kam ecur në këmbë nëpër fusha e disa kanale. Në kanale lëviza e qëndrova për 48 orë. Momentin që po më hahej bukë se kisha dy ditë pa bukë, shkova te shtëpia e dajës.

Këta ndërkohë kishin njoftuar policinë se kishin hall se mos më vriste RENEA. Aty erdhi policia dhe më mori, një polic, shefi i krimeve të Fierit dhe më çoi në drejtori. Mendova se po me shante dhe prandaj kam ndaluar të sqarohem dhe ka nisur sherri. Në një moment dukej sikur do prekte armën, pata frikë, nxora pistoletën dhe e qëllova. Nuk jam bërë pishman…”. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura