zoom

Aktualitet

Akuzohen si pjesë e grupit të “baronit” Çela, GJKKO lë në qeli 3 të arrestuarit e “Flakë në det”

Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, dha sot në një seancë me dyer të mbyllura, masat ndaj 3 të arrestuarve si pjesë e grupit të “baronit të drogës” Gëzim Çela, ky i ekstraduar nga Kosova muaj më parë, për narkotrafik me mjete lundruese, nga Laguna e Patokut në Kurbin, drejt Italisë.

Teksa u arrestuan një ditë më parë në kuadër të dosjes “Flakë në det”, sot janë lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për 3 të akuzuarit.

Bëhet fjalë për shtetasit Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkajn, pjesë e grupit të Gëzim Çelës, i cilësuar si baron droge, nga Fushë-Kuqja dhe me një dënim me 11 vite burgim.

Gjatë seancës të akuzuarit si një pjesë e grupit të strukturuar kriminal nuk kanë pranuar të japin deklarime, ndërsa pohuan se do të flisnin në një moment të dytë.

Avokatët kërkuan masa më të buta sigurie, pasi pretendojnë se nuk ka prova të mjaftueshme ndaj klientëve të vetë për të ngritur akuza. Si pjesë e organizatës ndodhet i arrestuar edhe ish-shefi i Komisariatit, Dritan Meta, që akuzohet se ka furnizuar me informacione Çelën dhe mbrojtur atë. /ZOOM.AL/