zoom

Politikë

Aksidenti me 2 viktima në Tiranë, Braçe: Ku është policia?

Ish-numri dy i qeverisë, Erion Braçe ka reaguar i indinjuar lidhur me aksidentin tragjik ku u shënuan 2 viktima gjatë orëve të natës në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë.

Braçe numëron të gjitha shkeljet e mjetit që shkaktoi 2 viktima, ndërsa vetë drejtuesi ka mbetur i plagosur rëndë.

Nga shpejtësia e madhe dhe kalimi me semafor të kuq që nuk lejohet në asnjë orë të ditës, deri tek armëmbajtja dhe thyerja e orës policore, Braçe kërkon të dijë me të drejtë, se në të gjitha këto shkelje ku është policia e Tiranës që nuk parandalon raste të tilla tragjike.

“Për qartësi:
1. Në qarkullim në orë 3.20 të mëngjesit, pra nën ndalimin e orës policore;
2. I dehur, pra i sapo çuar nga ndonjë mejhane e hapur edhe pse nën ndalimin e orës policore;
3. Me shpejtësi, pra i ndaluar në çdo orë te ditës, në orën policore i ndaluar fare fare;
4. Vijon rrugën me semafor te kuq, pra i ndaluar ta bëj në çdo orë të ditës, në orën policore nuk duhet të lëvizte fare fare;
Atëherë: Kjo është vrasje e qëllimtë e dy shtetasve! Në anë tjetër kaq shumë shkelje ligji, po policia ku është në mes të Tiranës?!
E fundit; nuk luftohet pandemia me gjasme, hem si sëmundje infektive, hem si pandemi e paligjshmërisë, hem si pandemi e vrasjeve në rrugë! PS: Ka dhe pushkë me vete-se desh e harrova; pandemia e armëmbajtjes pa leje”, shkruan Braçe

Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, ku janë përfshirë në një aksident mjeti “Citoren” me drejtues Emirjan Dokon, 30 vjeç dhe mjeti me drejtues Luan Cenollarin. Si pasojë e përplasjes së fortë kanë ndërruar jetë Cenollari dhe pasagjeri në automjetin e tij, i identifikuar si Ali Bejo 69 vjeç.