zoom

Aktualitet

Aksident i rëndë në Delvinë, anëtari i grupit të motoristëve del nga rruga dhe humb jetën (EMRI)

Një aksident i rëndë dhe me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur sot në mesditë, në aksin Delvinë-Kardhiq.

Ka qenë një grup motoristësh që udhëtonte në zonë, kur në vendin e quajtur “Kthesa e Senicës”, një prej tyre ka dalë nga rruga. Si pasojë e rënies së motorit, ka humbur jetën Astrit Lamaj, 53 vjeç.

Pavarësisht mbërritjes së autoambulancës në vendin e ngjarjes, nuk është bërë dot e mundur shpëtimi i tij. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë humbja e kontrollit të mjetit, por dyshohet edhe për një gjendje shëndetësore jo të mirë të viktimës në momentin e daljes nga rruga, si humbja e ndjenjave apo ataku kardiak, ndaj priten rezultatet nga Mjekësia Ligjore.

“Sot rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Skërficë-Fushë Vërri”, gjatë lëvizjes së një grupi motorristësh, njëri prej motomjeteve që drejtohej nga shtetasi A. L., 53 vjeç, banues në Durrës, është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit shtetasi A. L. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se 53-vjecari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit”, tha policia vendore. /ZOOM.AL/