Aplikacion
Anketa Europiane në Internet mbi Drogat (European Web Survey on Drugs) mblodhi të dhëna midis majit dhe korrikut 2024 nga persona përdorues të drogës, të moshës 18 vjeç e lart, që jetojnë në vendet e BE-së dhe jashtë saj. Në total, morën pjesë mbi 66 000 persona nga 31 vende.
Në Ballkanin Perëndimor u përgjigjën 4,442 individë të moshës 18 vjeç e lart, që përdorin droga (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi).
Analiza e përgjigjeve të të anketuarve zbuloi gjetje kyçe mbi përdorimin e tyre të drogave në 12 muajt e fundit. Të dhënat publike përfshinë gjetjet e përmbledhura të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat e përgjigjeve nga individët shqiptarë për Shqipërinë u vunë në dispozicion nga EUDA posaçërisht për Monitor dhe u përpunuan nga Monitor.
Shqipëri, kanabisi dhe kokaina drogat më të përdorura
Kanabisi mbetet droga që konsumohet më shumë nga individët shqiptarë, me 56% të të anketuarve që kanë deklaruar që e përdorin atë. Përdorimi i kësaj substance është shumë pak më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian (59%) dhe më i lartë se në Ballkanin Perëndimor (42%).
Shqipëria është e vetmja ku kokaina është substanca e dytë më e konsumuar pas kanabisit. 41% e përdoruesve të drogave thanë se kishin konsumuar kokainë në 12 muajt e fundit. kjo përqindje është dy herë më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndomor dhe shumë mbi nivelin e BE-së prej 29%.
Në Ballkanin Perëndimor, substanca e dytë më e konsumuar është Benzodiazepines (pa recetë), me 22% të përdoruesve, kundrejt 5% në Shqipëri.
Në Shqipëri, substanca e tretë më e konsumuar është MDMA/Ecstasy (16%) e ndjekur nga kërpudhat dhe truflat (11%).
Kokaina mbizotëron në bare
Kokaina pudër e ka konsumin më të lartë në bare, me 75% të përdoruesve të tij shqiptarë që thanë që e pinin atë në lokale. Në shtëpi e kishin konsumuar 69% e të anketuarve, në festa ose festivale muzikore (51%), në makinë (35%), në hapësirat publike si parqe (29%), në natyrë (29%).
Kokaina kristal (crack) konsumohet më shumë në ambientet e shtëpisë (75%) dhe më pak në bare (33%).
Arsyeja kryesore e përdorimit të kokainës pudër është për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të reduktuar efektet e alkoolit (39%), për të reduktuar stresin/relaksuar (31%), për të bërë shoqëri (24%), për të qëndruar zgjuar (22%).
Kanabisi konsumohet në natyrë, për të reduktuar stresin
Ambientet e hapura janë mjedisi kryesor ku konsumohet kanabisi nga përdoruesit shqiptarë, me 67 % të përgjigjeve. Edhe shtëpia (e vetja ose e dikujt tjetër) mbetet një ambient i preferuar (61%). Në festa ose festivale muzike ishte zgjedhja për 44% e të anketuarve.
Arsyeja kryesore që i nxit shqiptarët të përdorin kanabis është për të reduktuar stresin dhe për tu relaksuar (70%), për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të përmirësuar gjumin (43%), për të menaxhuar depresionin (41%), për arsye spiritualë (31%), për varësu (24%), për të bërë shoqëri (19%).
Kanabis edhe në shkollë, kokainë në punë
17% e të anketuarve shqiptarë thanë se një nga vendet ku ata konsumonin kanabis ishte në shkolla. 11% thanë se e konsumonin në punë.
Ndonëse me përqindje të ulëta, kokaina hyn edhe në shkolla, me 4% të të anketuarve se thanë që e konsumonin dhe në shkollë.
Më i lartë është konsumi i kokainës pluhur në punë, me 20% të të anketuarve që thanë se kishin pirë kokainë në zyrë.
Edhe për kokainën kristal, 17% e përdoruesve shqiptarë thanë se e kishin marrë në punë.
Kanabis me cigare e alkool dhe kokainë me alkool e nikotinë
Përdorimi i shumëfishtë i substancave, i cili nënkupton konsumimin e dy ose më shumë substancave në të njëjtën kohë, është raportuar për të gjitha llojet e drogave. Sipas të dhënave të anketimit për Shqipërinë rezulton se 70% e të anketuare thanë se përdornin kanabis me cigare/nikotinë dhe 46% thanë kanabis me alkool.
83% e përdoruesve të kokainës pluhur thanë se e kombinonin me alkool dhe po aq me cigare/nikotinë. 26% e kombinonin kokainën dhe me bar kanabis.
Ku i gjejnë drogat shqiptarët
Një nga pyetjet e anketimit lidhet me burimin e blerjes së substancave të drogës.
Për kanabisin, 46% e përdoruesve shqiptarë thanë se e gjenin nga të afërm, ose njerëz që njohin, 31% thanë që i kontaktojnë direkt burimet përmes telefonit, email ose mesazheve.
Miqtë dhe shokët janë dhe burimi kryesor i gjetjes së kokainës (68%) dhe 47% përmes kontakteve direkte nga telefoni, mail ose mesazhet.
Edhe për substancat e tjera si Methamphetamine, Amphetamine, heroinë, burimi kryesor mbetet blerja nga miqtë./Monitor